
Më datë 14 maj, ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, vizitoi Gjykatën e Posaçme, ku u takua me kreun e këtij institucioni, Erjon Bani, si dhe me përfaqësues të institucionit.
Gjatë vizitës, delegacioni u njoh me ambientet e rikonstruktuara të gjykatës, të realizuara në përputhje me standardet ndërkombëtare për infrastrukturën gjyqësore. Në fokus të diskutimeve ishin forcimi i besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë, si dhe rëndësia e garantimit të standardeve të larta në vendimmarrje, transparencë dhe siguri institucionale.
“Kryetari në Detyrë, z. Erjon Bani, vlerësoi mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe theksoi rëndësinë e ripërdorimit të aseteve të konfiskuara nga veprimtaria kriminale për financimin e rikonstruksionit të godinës së gjykatës, si një praktikë me vlerë të shtuar për forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe sundimit të ligjit”, njoftoi Gjykata e Posaçme.
“Vizituam godinën e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila është financuar nga BE dhe së fundmi është rikonstruktuar për të përmbushur standardet më të larta të BE-së. Ne mirëpresim faktin që 80% e kostos së rikonstruksionit u financua përmes ripërdorimit të aseteve të konfiskuara”, njoftoi delegacioni i BE në vendin tonë lidhur me këtë takim.
“Gjatë vizitës, Kryetari në detyrë i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, gjyqtari Erion Bani, dhe Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, diskutuan rolin e Gjykatës në forcimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë dhe në ruajtjen e standardeve të larta në vendimmarrje. Ambasadori i BE-së theksoi gjithashtu se përmirësimi i standardeve të infrastrukturës gjyqësore duhet të mbetet prioritet në të gjithë Shqipërinë, për të garantuar siguri, transparencë dhe akses në drejtësi”. (A2 Televizion)