Këngëtarja Mimoza Selimi ka ndarë emocionet e forta të takimit me ish-shokët e klasës pas afro 40 vitesh, gjatë një rrëfimi në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN. Ajo tregoi se ribashkimi me miqtë e shkollës së mesme artistike “Preng Jakova” ishte një moment i mbushur me lot gëzimi, përqafime dhe mall të pashuar ndër vite.
“Takimi i parë ka qenë aq shumë emocionues, lot gëzimi, përqafime, dhe është një gjë që tregon se njeriu nuk ndryshon, sepse ne jemi po ata që kemi qenë në shkollën e mesme artistike ‘Preng Jakova’. Të parët tanë kanë thënë, lër fjalën e mirë, lër veprën e mirë, që nesër kur t’i takosh të tjerët, t’i takosh me mall, dhe jo të ndërrosh rrugën të ikësh. Është pikërisht kjo marrëdhënie respekti, dashurie të sinqertë që kemi pasur me njëri-tjetrin, që ka bërë që kjo miqësi mbetet aq e fortë, dhe me shumë dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin”, u shpreh këngëtarja.
Selimi zbuloi se kishte qenë vetë iniciatorja e këtij organizimi, një dëshirë që e kishte mbajtur prej kohësh në mendje.
“Unë isha iniciatorja e këtij takimi. Në takimin e parë që u bë vjet në 6 prill, ishte ditëlindja ime. Kisha kaq kohë që në kokën time ishte, si t’ia bëj që t’i mbledh të gjithë të takohemi. Në frëngjisht është një shprehje ‘Zoti i vuri yjet në një linjë’. Bashkë me disa shoqe të klasës që ishin në Tiranë, për tre ditë kemi bërë të gjitha kërkimet dhe lumturi e madhe, ne u bëmë të tërë bashkë në një restorant në ishull Shëngjin në Lezhë”, tregoi ajo.
Mes emocionesh, këngëtarja kujtoi momentin kur ish-maturantët mbërrinin njëri pas tjetrit në takim.
“I kam lotët në sy, kur vinin njëri pas tjetrit, dhe shtrëngimi, lot gëzimi, dhe që thoshin ‘Moza çfarë mrekullie që na mblodhe’”, përfundoi Mimoza Selimi. (A2 Televizion)