Faqja online e Kuvendit të Shqipërisë është hakuar këtë të hënë dhe autorësinë e këtij veprimi e mori grupi i hakerave “Homeland Justice”.
Në një postim në llogarinë e tyre në aplikacionin e komunikimeve online, Telegram, u postua mesazhi “Edhe ata që zënë karriget në Kuvend do të paguajnë. Deputetët tanë të korruptuar do të shkatërrohen shpejt kur të kuptojnë sesi demonët e tyre të brendshëm do t’iu tregohen çdokujt që kërkon të vërtetën. Shkatërroni kampin ushtarak në Durrës”.
Kjo llogari besohet se operohet nga hakerat që bllokuan disa muaj më parë edhe portalin e-Albania si dhe publikuan edhe e-maile të zyrtarëve më të lartë shtetërorë.
Shqipëria akuzoi Iranin për sulmet kibernetike dhe ndërpreu marrëdhëniet diplimatike me Republikën Islamike. (A2 Televizion)