Lëvizja në lotin e parë të Unazës së Madhe të Tiranës do të kufizohet përkohësisht në datat 8 dhe 9 mars.
ARRSH njofton drejtuesit e mjeteve se devijimi i lëvizjes bëhet në kuadër të fazës përfundimtare, që përkon me hedhjen e asfaltbetonit në aksin nga “Sheshi Shqiponja” deri në urën e “Lumit të Tiranës”.
“Në kuadër të fazës përfundimtare të punimeve të ndërtimit të rrugës në objektin: “Plotësimi, Rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”, pjesë e Unazës së Madhe të Tiranës, në datat 08-09.03.2025 është planifikuar të realizohet shtresa e asfaltobetonit në aksin kryesor të këtij segmenti, konkretisht nga ish-Sheshi Shqiponja deri tek ura e Lumit të Tiranës”, informon ARRSH.
Më tej autoriteti sqaron se devijimi i lëvizjes do të bëhet gjatë orëve të natës midis 20:00 dhe 06:00.
“Në datën 08.03.2025 ora 20:00-06:00 do të kryhen punimet në krahun e djathtë të aksit kryesor dhe për pasojë do të bllokohet lëvizja e automjeteve në Tunelet nr.2 (rryma e trafikut që vjen nga autostrada Tiranë-Durrës me drejtim Unazën Veriore) dhe Tunelin nr.1 (rryma e trafikut që vjen në aksin kryesor nga Teodor Keko me destinacion Unazën Veriore). Në datën 09.03.2025 (ora 20:00 - 06:00) do të ketë punime në krahun e majtë dhe trafiku duhet të devijohet për në nënkalimin e Paskuqanit duke i drejtuar automjetet ne rrugët që lidhen me këtë nyje”, njofton ARRSH.
Ndërkohë, kontraktori i punimeve në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e trafikut dhe kërkojnë mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe banorëve të zonës për këtë devijim. (A2 Televizion)