I përfundon mandati në mars 2025, Gjykata Kushtetuese shtyn vendimin për Holta Zaçajn

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2024, 14:47 | Aktualitet

I përfundon mandati në mars 2025, Gjykata Kushtetuese shtyn vendimin

Shtyhet për të dytën herë mbledhja e Gjykatës Kushtetuese për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj. 

“Gjykata vlerësoi që aktet në fjalë t’i komunikohen gjyqtares Holta Zaçaj, njëherazi edhe Kryetarja e Gjykatës, e cila ka vënë në lëvizje këtë proces, me qëllimin për t’u njohur dhe për të vlerësuar paraqitjen e një opinioni me shkrim në lidhje me to”, njoftoi Gjykata Kushtetuese.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:

Gjykata Kushtetuese u mblodh sot, më datë 16.12.2024, ora 11:00, për shqyrtimin e kërkesës së Kryetares së Gjykatës Kushtetuese për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj.

Gjykata administroi praktikën dokumentare të Gjykatës së Lartë, që ka shoqëruar procedurën për plotësimin e vendit vakant dhe zgjedhjen e zonjës Holta Zaçaj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, si dhe njoftimin e Kryetarit të asaj gjykate për hapjen e procedurës për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, të cilat, mbi bazën e kërkesës së Gjykatës, janë dërguar zyrtarisht nga Gjykata e Lartë ditën e premte, datë 13.12.2024, ora 16:30.

Gjykata vlerësoi që aktet në fjalë t`i komunikohen gjyqtares Holta Zaçaj, njëherazi edhe Kryetarja e Gjykatës, e cila ka vënë në lëvizje këtë proces, me qëllimin për t`u njohur dhe për të vlerësuar paraqitjen e një opinioni me shkrim në lidhje me to.

Për këto arsye, Gjykata vendosi të shtyjë seancën për ditën e nesërme, datë 17.12.2024, ora 13:00. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos