Himçi: Protesta e së shtunës do jetë marshim, jemi në mbështetje të studentëve

Nga A2 CNN
29 Tetor 2026, 23:35 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Blendi Himçi, u shpreh se opozita është “në proces organizimi të protestës” të ditës së shtunë, e cila, sipas tij, është në mbështetje të protestës së studentëve.

“PD-ja ka bërë thirrje për protestë kombëtare ditën e shtunë, në orën 12:00, përsëri në mbështetje të protestës së të rinjve. Nuk është protestë që kërkon t’i zërë vendin protestës së të rinjve, por është në mbështetje të saj. Kemi të njëjtat kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit. Jemi në proces organizimi të protestës, kemi pasur takime me kryesitë e degëve për të sjellë sa më shumë protestues në Tiranë”, tha Himçi në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

“Pjesëmarrja do të jetë masive. Fjalime nuk do të ketë sepse mbështesim protestën e të rinjve dhe thjesht i mbështesim. Do të jetë marshim”, theksoi deputeti demokrat.

Sipas tij, “krizën nuk e zgjidh Policia e Shtetit, por dorëheqja e Edi Ramës”.

“Një kryeministër nuk mund ta mbajë me zor pushtetin. Nuk vazhdohet më me 84 mandatet kur skandalet janë sheshit. Ajo reformë në drejtësi që u trumbetua si sukses, tashmë ka pësuar një kolaps total. Kjo është revolta e të rinjve dhe policia ka ushtruar dhunë disproporcionale ndaj të rinjve. Kemi parë këmbë të thyera dhe sy të nxjerrë”, shtoi Himçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos