Monika Kryemadhi i dërgoi SPAK-ut një shtesë padie për inceneratorin e Tiranës ku akuzon Bashkinë e kryeqytetit se ka lejuar zaptimin e 15 hektarëve tokë.
“Liqeni u bë tokë, toka u bë mal”, u shpreh Kryemadhi.
Nëpërmjet disa matjeve, për të cilat tha se ishin bërë me dronë të specializuar, Kryemadhi tregoi se si inceneratori i Tiranës kishte dalë jashtë lejes së ndërtimit të miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit me një sipërfaqe disa hektarësh, duke e konsideruar tashmë këtë çështje si sfidën e drejtësisë.
“Kjo është sfida për SPAK”.
Llogarinë që Kryemadhi i kërkoi publikisht Erion Veliajt dhe Edi Ramës për Inceneratorin e Tiranës, refuzoi ta bënte vetë kur u pyet mbi sekuestron që SPAK i ka vendosur disa telefonave të personave të afërm me të.
“Asnjë pronë nuk i është sekuestruar asnjë familjari të mi, këtu jam vetëm për inceneratorin”.
Sekuestro që SPAK i ka bërë disa telefonave të personave të afërm me Kryemadhin është kundërshtuar nga ajo vetë në gjykatë me pretendimin se ishte një veprim i paligjshëm, por kërkesa e saj është rrëzuar nga gjykata. (A2 Televizion)