SPAK dorëzoi kërkesën për Berishën, hapat si mund të arrestohet një deputet

Nga A2 CNN
12 Dhjetor 2023, 13:39 | Aktualitet

SPAK dorëzoi kërkesën për Berishën, hapat si mund

Ditën e sotme, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka kërkuar arrestimin e Sali Berishës për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Hapat që ndiqen deri në vendimin final nga Kuvendi
Në pikën 1 të nenit 118 të ndryshuar, saktësohet se Prokuroria kërkon nga Kuvendi autorizim për caktimin e masës së sigurimit të arrestit me burg ose në shtëpi, heqjes se lirisë në çfarëdo lloj forme, kontrollit personal ose të banesës të deputetit me një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me prova. Pra SPAK duhet të bindë Kuvendin se ka prova që Sali Berisha ka kryer “korrupsion pasiv”, vepra penale për të cilën akuzohet.

Më pas, Kuvendi cakton mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet si edhe do duhet të vë në dijeni Sali Berishën. Edhe pse ky i fundit e ka marrë lajmin nga mediat, Kuvendi si Institucion e ka për detyrë që t’ia dorëzojë shkresën zyrtarisht.  

Në mbledhjen e Këshillit, Berisha mund të jetë i pranishëm vetë në seancë për t’u mbrojtur, e ndërsa nëse refuzon të jetë personalisht, atëherë ka të drejtën që të paraqesë shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes me shkrim ose të përfaqësohet me mbrojtës ligjor.

Pas shqyrtim, brenda 2 javëve Këshilli do duhet që të paraqesë një raport ku përmblidhen pretendimet e palëve dhe në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi ndaj Sali Berishës, në rastin konkret. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.

Në seancë plenare, e cila nuk është caktuar ende, do i jepet fjala të parit Sali Berishës, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Duhet thënë se Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi.

Në fund, Kuvendi vendos me votim të hapur për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi ndaj ish-kryeministrit.

Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar.

A e humb mandatin Sali Berisha?
Edhe nëse Kuvendi e autorizon SPAK-un për arrestimin e deputetit, ai nuk e humbet mandatin e tij deri në dënim me vendim të formës së prerë përveç rasteve kur e dorëzon vetë.

Reagimi i Sali Berishës
Vetë ish-kryeministri ka deklaruar se do të respektojë çdo vendim që Kuvendi do të marrë.

“Do parlamenti që ta dorëzoj që nesër, unë e votoj që nesër. Nuk kam asnjë kundërshtim. Nuk mund të ketë. E kam thënë dhe e them. Besoj se isha i qartë në këtë pohim timin", u shpreh Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos