Pak ditë pasi iu drejtua Gjykatës së Tiranës për të pezulluar dërgimin e tij në qelitë e burgut, ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, ka “trokitur” në Gjykatën e Lartë. Edhe në këtë gjykatë Salianji kërkon pezullim të ekzekutimit të vendimit të Apelit për dënimin e tij me 1 vit burg.
Në shkresën e protokolluar në Gjykatën e Lartë përmes avokatëve të tij më 1 tetor, një ditë pasi Kuvendi konstatoi ndërprerjen e mandatin e deputetit, Salianji argumenton rëndësinë që ka shmangia e burgut për të mos i prekur mandatin e ligjvënësit, transmeton A2.
“Në lidhje me cilësinë aktuale të deputetit, do i referohemi faktit që ende nuk ka një vendimmarrje të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve në zbatim të nenit 164 të Kodit Zgjedhor, çka do të thotë që pezullimi i ekzekutimit është i rëndësishëm përveçse përvuajtjen e dënimit me burgim, por edhe për ruajtjen e mandatit të deputetit si një mandat që i takon popullit”, thuhet në kërkesë, mëson A2.
Duke ju referuar jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, Salianji i kërkon gjyqtarëve të lartë pezullimin e ekzekutimit të dënimit ose shtyrjen e tij në kohë për tre muaj, referuar faktit që është dënuar me vendim të formës së prerë një deputet i Kuvendit, për një drnoncim publik të kryer në vitin 2018.
Në vijim ish-deputeti argumenton se zbatimi i vendimit do t’i sillte pasoja shumë të rënda, jo veç humbjen e mandatin, por edhe pengesë për të kandiduar në zgjedhjet e vitit 2025. Në këmbënguljen e tij për të shmangur burgun, ish-deputeti pretendon se vepra e supozuar si e kryer prej tij, ka ndodhur në vitin 2018, më shumë se 6 vjet para vendimit të Apelit dhe gjatë gjithë kësaj kohë ai nuk i është shmangur asnjëherë hetimit apo gjykimi, raporton A2.
Në Gjykatën e Lartë avokatët kanë paraqitur edhe një rekurs të përmbledhur ndaj vendimit të Apelit, duke rezervuar të drejtën për ta plotësuar pasi të kenë në dorë vendimin e arsyetuar.
(A2 Televizion)