Ithtar i Shtetit Islamik, shqiptari pranon se përgatiti sulme terroriste kundër koncertit të Taylor Swift

Nga A2 CNN
29 Prill 2026, 14:07 | Blog

Ithtar i Shtetit Islamik, shqiptari pranon se përgatiti sulme terroriste

Nga Enver Robelli

Para dy vitesh në Vjenë u anuluan koncertet e këngëtares amerikane Taylor Swift për shkak se ekzistonte rreziku i një sulmi islamist. Nuk u shqetësuan vetëm 180 mijë njerëz që kishin blerë bileta për koncert, por edhe shumë njerëz të tjerë. Mediat në mbarë botën raportuan për këtë rast. Shërbimet sekrete austriake ishin paralajmëruar nga shërbimet sekrete amerikane mbi rrezikun e sulmit terrorist.

Një ditë para koncertit të planifikuar policia austriake arrestoi në Vjenë dhe në krahinën Niederösterreich dy simpatizantë të bandës terroriste “Shteti Islamik”. I dyshuari kryesor ishte një 19-vjeçar me emrin Beran Aliji, me origjinë nga një lagje pranë Gostivarit.

Gjatë bastisjes së banesës së Beran Alijit hetuesit gjetën substanca kimike, pajisje ndezëse, materiale propagandistike islamiste dhe udhëzime për ndërtimin e bombave. Aliji pranoi se kishte planifikuar një sulm vetëvrasës në një nga koncertet e Taylor Swift. Beran Aliji ishte radikalizuar në internet dhe besonte se është mëkat të dëgjosh muzikë. Ai adhuronte terroristin islamik Kujtim Fejzulai, i cili në vitin 2020 vrau në Vjenë katër njerëz. Fejzulai u vra nga policia. Edhe ai ishte me origjinë nga Maqedonia.

Të martën në Vjenë nisi procesi gjyqësor kundër Beran Alijit dhe të akuzuarit të dytë Arda K. Beran Aliji menjëherë e pranoi se kishte bërë plane për sulm ndaj koncerteve të Taylor Swift dhe kësisoj u deklarua plotësisht fajtor. Ai tregoi se ndikim të madh ndaj tij ka pasur një person tjetër (Hasan E.), i cili gjendet në burg në Arabinë Saudite për shkak të një sulmi ndaj forcave të sigurisë. Nëse shpallet fajtor, Beran Aliji rrezikon deri në 20 vjet burg. Aktgjykimi pritet të bëhet publik në fund të majit.

Ithtar i Shtetit Islamik, shqiptari pranon se përgatiti sulme terroriste (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos