‘’Jo më djalë i mirë!’’Trump nxjerr automatikun e kërcënon, Emiratet ikin nga OPEC

Nga Rosalba Bejdo
29 Prill 2026, 15:02 | Bota

Pas disa ditësh gjuhe të përmbajtur, presidenti amerikan Donald Trump iu rikthye kërcënimeve ndaj Iranit këtë të mërkurë. Në rrjetet sociale ai postoi një foto të vetes të gjeneruar me inteligjencë artificiale, ku mban në dorë një automatik, ndërsa në sfond shfaqen shpërthime të shumta dhe mbishkrimi “jo më djalë i mirë”. Mesazhi që shoqëronte foton ishte i qartë dhe i kërkonte Iranit të firmoste sa më shpejt një marrëveshje.

“Irani nuk po mund të rregullojë dot punët e tij. Ata nuk dinë si të nënshkruajnë një marrëveshje jo-bërthamore. Do të bënin mirë të tregoheshin të mençur sa më shpejt.”

Ndërkohë, më herët Teherani tha se SHBA nuk janë më në pozicionin të diktojnë politikat e tyre dhe se duhet të braktisin kërkesat e paligjshme dhe të paarsyeshme. Wall Street Journal citoi zyrtarët amerikanë të thonë se presidenti ka udhëzuar ndihmësit e tij të përgatiten për një bllokadë të zgjatur në portet iraniane, në përpjekje për të shtyrë Iranin drejt kapitullimit. Sipas zyrtarëve, Trump ka vendosur të vijojë me presionin ndaj ekonomisë iraniane dhe bllokadës së eksporteve të naftës, teksa rifillimi i bombardimeve ose tërheqja nga konflikti sjellin më shumë rreziqe, shkruan A2CNN.

Teherani ka propozuar të rihapë Ngushticën e Hormuzit nëse SHBA heq bllokadën ndaj porteve dhe lufta përfundon. Por, sipas planit, negociatat për bërthamorin do të shtyheshin në një moment të dytë. Agjencia e lajmeve Reuters raportoi të martën se presidenti nuk është i kënaqur me propozimin iranian, por megjithatë Shtëpia e Bardhë pritet të paraqesë një kundërofertë.

Pas kërcënimeve të reja të Trump, çmimi i naftës u rrit në 114 dollarë për fuçi, ndërsa tregjet treguan pasiguri edhe ndaj vendimit të Emirateve të Bashkuara Arabe për t’u tërhequr nga grupi OPEC dhe OPEC+. Emiratet pretendojnë se vendimi do t’u japë më shumë fleksibilitet për të përmbushur kërkesën në rritje për energji globale. Vendi prej kohësh këmbëngulte se kuotat e prodhimit të OPEC nuk e lejonin të shiste aq naftë sa dëshironte. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos