Problemet me përmbytjet dhe kanalet e bllokuara vijojnë të mbeten një shqetësim serioz për banorët e zonës së Shkozetit në Durrës. Pas reshjeve të shiut, shumë rrugë përmbyten, ndërsa ujërat e ndotura depërtojnë në oborre e banesa, duke rrezikuar shëndetin dhe sigurinë e komunitetit.
Së fundmi, 140 qytetarë kanë firmosur një peticion, përmes të cilit kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe një plan 6-mujor për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit të kanaleve kulluese, shkruan A2 CNN.
Banorët thonë se situata përsëritet prej vitesh dhe se çdo reshje e fortë shndërrohet në burim ankthi.
Nisma është mbështetur nga organizata të shoqërisë civile, ndërsa kërkohet që institucionet vendore të kalojnë nga ndërhyrjet emergjente në një planifikim të qëndrueshëm.
Sipas Drejtorit Ekzekutiv të Qendrës "Durrësi Aktiv", Klaudio Hyseni, problematika kërkon një qasje afatgjatë dhe investime konkrete.
Banorët presin që kërkesat e tyre të shqyrtohen nga institucionet përgjegjëse dhe që të ketë reagim konkret përpara reshjeve të ardhshme. (A2 Televizion)