Ndërpritet për një orë seanca ndaj Ballës në KPA. Para nisjes së fjalës së avokates së tij, vetë kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorëve, Alfred Balla e kundërshtoi kërkesën e tij, por e quajti ankimin si “antiligjor dhe të pakuptimtë nga ana ligjore”.
“Nuk e di nga është nisur Komisioneri të bëjë ankim, në cilën tavolinë”- tha Balla.
Ballës i tërhoqi vëmendjen kryesuesja e trupës gjykuese Ina Rama e cila tha se ai nuk mund të shprehte vlerësime personale.
Ndërkohë, pala mbrojtëse e Ballës, avokatja Etleva Sherifi argumentoi se Alfred Balla nuk mund të jetë subjekt rivlerësimi. Sipas avokates, Ballës i ka mbaruar marrëdhënia e punës në 2017 dhe kësisoj nuk mund të jetë subjekt, jo me dëshirën e tij, por ai është larguar nga Gjykata e Lartë aso kohe.
Pala mbrojtëse kërkoi përfundimisht të lërë në fuqi vendimin e KPK, pra pa një vendim përfundimtar.
Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e Vettingut për Alfred Ballën me argumentin se kreu i KLP nuk gëzon statusin e magjistratit. Në përfundim të mandatit, Alfred Balla kërkon që të ushtrojë funksionin në një prej prokurorive të Apelit, por sipas Komisionerit Publik, Alfred Ballës i duhet hequr e drejta për 15 vite te ardhshme për të ushtruar funksione në sistemin e drejtësisë pasi nuk gëzon statusin e magjistratit.
Pas mbledhjes, KPA shtyu për në datë 21 maj ora 15:00 shpalljen e vendimit për ankimim e Komisionerit Publik ndaj Alfred Ballës. (A2 Televizion)