Kongresi i Elbasanit, i mbledhur 115 vite me parë përkujtohet edhe sot si një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e arsimit dhe kulturës së gjuhës shqipe. Në këtë kongres në shtatorin e vitit 1909 u vendos për hapjen e shkollës normale të Elbasanit e cila do të përgatiste mësuesit që do të çonin më tej përhapjen dhe pasurimin e gjuhës dhe kulturës shqipe.
Por sot më shumë se një shekull më pas ajo sakrificë e organziatorëve të këtij kongresi, duket se po venitet me rrezikun që po i kanoset gjuhës shqipe, shkruan A2 CNN.
Për arsimtaren dhe historianen Zhuljeta Daja sot pas 115 vitesh krahas përkujtimit të kongresit të Elbasanit, e rëndësishme është të ruhen mësimet e dala nga ai kongres për ruajtjen e gjuhës shqipe.
Ngritja e një muzeu për jetën dhe veprimtarinë e elitave që propozuan dhe organizuan kongresin e Elbasanit, shikohet si hapi i parë i përpjekjeve të shoqërisë tonë për të ruajtur gjuhën shqipe, që tashmë po rrezikohet nga globalizmi dhe jo nga pushtuesit. (A2 Televizion)