Në takimin me institucionet e pavarura që po zhvillohet në Kuvend, ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato tha se Shqipëria ka hyrë në një fazë kritike në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Në këtë kontekst, Gonzato i bëri thirrje forcave politike që të lënë mënjanë ndasitë dhe ta vendosin integrimin në krye të prioriteteve, duke stimuluar dialogun dhe bashkëpunimin, shkruan A2.
“Mesazhi im ka të bëjë me negociatat e suksesshme për hyrjen në BE që kërkojnë një dialog ndërparlamentar në Kuvend por edhe bashkëpunim ndërinstitucional. Shpresoj që në parlament integrimi europian të konsiderohet nga të gjitha forcat politike si një prioritet kombëtar strategjik. Parlamenti është qendra për të pasur dialog konstruktiv duke përfshirë çështjet e integrimit europian por edhe të miratojë legjislacione dhe të gjitha ndryshimet ligjore për qeverinë”, deklaroi Ambasadori i BE-së, citon A2.
Gonzato u ndal gjatë te rëndësia e parlamentit në këtë proces duke nënvizuar se ka një rol kyç për të luajtur duke nisur me Komunitetin e BE-së, i cili do rishikojë nga nesër pozicionin e negociatave që do të paraqiten në konferencën e dytë ndërqeveritare, e cila do të mbahet më 15 tetor. (A2 Televizion)