Shqipëria ende nuk i ka dronët “Made in Albania”, edhe pse ishte parashikuar që produktet e para të ishin gati në pranverë. Shkak për këtë vonesë është bërë lufta në Lindjen e Mesme, duke iu referuar faktit që kompania që do t’i prodhojë është izraelitja “Elbit Systems”.
Shqipëria firmosi një marrëveshje me kompaninë izraelite për dronët në një moment kur NATO ka pezulluar kontrata me të për shkak se ndodhet nën hetim. Kjo nuk ka qenë pengesë për vendin tonë, edhe pse sipas Ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, nuk ka ndonjë sinjal nga NATO për këtë bashkëpunim.
Kreu i këtij dikasteri e pranon që SHBA i ka kërkuar Shqipërisë, nëpërmjet ambasadorit të saj në NATO, që të përdorë Kuçovën si bazë për operacione ushtarake. Ermal Nufi thotë se, pavarësisht se vendi ynë ka qenë objektiv i sulmeve kibernetike të Iranit pas strehimit të muxhahedinëve, këto nuk përbëjnë rrezik serioz.
Shqipëria është vendosur të jetë vendi i radhës për të organizuar samitin e NATO-s, por në Turqi do të vendoset nëse do të ketë ndryshime për mbajtjen e këtij takimi në vitin 2027. Nufi thotë se Ankaraja do të vendosë nëse samiti do të mbahet një herë në vit apo dy herë në vit.
Shqipëria, si detyrim i Bordit të Paqes, ka dërguar në Gaza një njësi vlerësimi, por ende nuk është vendosur sa do të jetë numri i Forcave të Armatosura dhe zona ku do të alokohen. (A2 Televizion)