10 muaj nga shkrirja e gjykatave të Apelit në rrethe dhe përqendrimi i gjyqeve në një gjykatë të vetme Apeli në Tiranë, për avokatët është cilësuar si zgjidhja më e keqe e mundshme e hartës së re gjyqësore.
Endri Çela, avokat në qytetin e Korçës, bën një krahasim mes kohës kur gjykata e apelit funksiononte në Korçë dhe tani kur qytetarët dhe avokatët duhet të udhëtojnë drejt Tiranës. “Aktualisht, mendoj se është zgjidhja më e keqe e mundshme dhe kjo po pasqyrohet. Përveçse qytetarët duhet të presin 5-6 vite, në të njëjtën kohë, ata duhet të paguajnë edhe më shumë”, thotë Çela.
Të njëjtat problematika kanë avokatët së bashku me klientët e tyre edhe në Fier. Për avokatin Ervis Goxhaj, përveç kostove të shtuara të qytetarëve, kosto financiare do të ketë edhe shteti shqiptar, pasi gjykata ndërkombëtare po dëmshpërblen qytetarët shqiptarë edhe për vonesat e gjata të gjykimit të një çështje. “Qëndrimi i fundit, në lidhje me vonesat e gjykimit, është edhe Gjykata e Strasburgut ku proces për këtë arsye po i dëmshpërblen individët deri në 15 mijë euro për shkak të vonesave”, thotë avokati.
Gjykata Kushtetuese pritet të dalë së shpejti me një vendim në lidhje me kundërshtinë që avokatët e Shqipërisë i kanë bërë hartës së re gjyqësore, e cila shkriu disa gjykata të shkallës së parë dhe të gjitha gjykata e apelit në rrethe, duke e përqendruar gjykimin në shkallën e dytë vetëm në Tiranë. (A2 Televizion)