3 vendet vakante në SPAK, SHBA dhe BE: Zgjidhni prokurorë të kualifikuar dhe me integritet

Nga A2 CNN
7 Dhjetor 2023, 09:19 | Aktualitet

3 vendet vakante në SPAK, SHBA dhe BE: Zgjidhni prokurorë të

Ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të vijojë edhe ditën e sotme me përzgjedhjen e tre prokurorëve të rinj të SPAK, ambasada amerikane në vendin tonë dhe delegacioni i BE-së i kanë bërë thirrje këtij institucioni në përzgjedhjen e prokurorëve të kualifikuar, me integritet, profesionalizëm dhe guxim.

“Ambasada Amerikane po ndjek nga afër intervistat dhe vlerësimet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për kandidatët për prokurorë që aplikojnë për tri vendet vakante të fundit në SPAK. Shtetet e Bashkuara presin që ky proces vendimtar të rezultojë në përzgjedhjen e atyre prokurorëve më të kualifikuar me nivelet më të larta të guximit, profesionalizmit, integritetit dhe pavarësisë. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur Shqipërinë, teksa ajo lufton korrupsionin, forcon institucionet e saj të drejtësisë dhe mbështet shtetin e së drejtës. SPAK mbetet një pjesë kritike e kësaj përpjekjeje”, shkruan ambasada amerikane.

Po kështu edhe delegacioni i BE-së shkruan: “Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të vijojë ditën e sotme me përzgjedhjen e tre prokurorëve të rinj të SPAK. Kjo duhet të kontribuojë në forcimin e punës së SPAK-ut, integritetit dhe pavarësisë së tij.

Ky institucion kyç duhet të mbështetet në profesionistët më të mirë në dispozicion për të përmbushur misionin e tij thelbësor.”  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos