Situatë alarmante dhe një kambanë alarmi për të tashmen dhe të ardhmen, e ka konsideruar Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare, rezultatin e testit të Pisa 2022. Në një intervistë për “Dita jonë”, ai tha se 73.2% e nxënësve që kanë ngelin në nivelin e parë të këtij testi nuk arrijnë të marrin kuptimin e një teksti në lexim, ndërsa në matematikë 74% e tyre nuk mund të kryejnë veprime bazike.
“Në testin Pisa që konsiderohen në dy nivele; ata që kanë ngelur në nivelin e parë të testit në lexim janë 73.2%. Në vendin tonë 73.2% e nxënësve që kanë ngelur në lexim, nuk arrijnë të kryejnë veprime minimale për të kuptuar atë që lexojnë dhe të marrin kuptimin nga një test i shkurtër. Kjo është dramatike. Në matematikë është edhe më alarmante situata. Jemi me humbjen më të madhe nga 2008 në pikë. 74% e nxënësve nuk arrijnë të kryejnë veprime bazike, si gjetja e distancës mes dy rrugëve apo veprime të këmbimit valutor.”
Teksa renditi disa nga shkaqet që mund të kenë çuar në këtë përkeqësim të aftësive të 15-vjeçarëve, ai tha se është e pajustifikueshme të pretendohet se një nxënës me njohuri të ketë humbur për shkak të vështirësive apo ngarkesës.
“Janë një sërë arsyesh si mungesa e investimeve, pandemia, tërmet dhe të gjitha janë të pajustifikuara, kur mendon që vende në luftë si Palestina konkurrojnë njësoj. Ndaj ndërtojmë struktura dhe jo të justifikojmë. Është një fotografi e momentit dhe parashikim i së ardhmes, nëse e konsiderojmë djep të teknologjisë, është e pajustifikueshme që 15-vjeçarët që do të jenë shkencëtarët e së ardhmes, nuk dinë minimumin në shkencë”.
Vendet e OECD kryejnë testime në 80 vende dhe në vendin tonë janë marrë 200 shkolla në Tiranë e Durrës, dhe janë testuar nën këto 3 disiplina. Qiraxhi tha se vende të tjera kanë hyrë në debat të madh për shkak të rezultateve të Pisas.
“Dhe një pyetësor shtesë për jetën në ambientet e shkollës, janë pyetur drejtuesit dhe mësuesit e shkollës. Testi i Pisa lë shumë pak mundësi për të komentuar, është test kompleks se çfarë ka ndodhur me nxënësin nga klasa e parë në të nëntën dhe është e pajustifikueshme që të pretendosh që një nxënës që ka njohuri në matematikë humbi për shkak të vështirësisë apo ngarkesës. Është mekanizëm shumë i besuar. Vende si Franca e Gjermania, Anglia kanë hyrë në debat të madh dhe kanë reformuar arsimin për shkak të gjetjeve të Pisa-s.”
(A2 Televizion)