Juristët Adriatik Lapaj dhe Genc Gjokutaj kundërshtojnë krijimin e një shteti bektashi në Shqipëri, duke argumentuar se ai cenon rendin kushtetues dhe mund të nxisë përçarje fetare. Ideja, e hedhur që në vitin 2024, synon krijimin e një entiteti me territor, pasaportë dhe monedhë të vetën.
Lajmi i publikuar në mediet franceze se shteti bektashi do të miratohet në shtator u shoqërua edhe një herë me debat në Tiranë. Për juristët një vendim i tillë prek rendin kushtetues. Nga studio e A2 CNN, avokatët Adriatik Lapaj dhe Genc Gjokutaj argumentojnë pikat e ligjit themeltar që ndalojnë këtë veprim.
Të dy juristët shprehin dhe dyshimet për krijimin e përçarjes fetare duke shtuar se komuniteteve të tjera mund t’u lindin orekse për të pasur të njëjtin status.
Ideja për krijimin e një shteti bektashi është hedhur në publik që në vitin 2024, por kur të gjithë mendonin se ishte arkivuar një shkrim i botuar në mediat franceze tregoi edhe njëherë ambicien e kryegjyshatës për të pasur territorin, pasaportën dhe monedhën e saj. (A2 Televizion)
