Kryeprokurori Olsian Çela deklaroi se përpjekjet për një kod të ri penal janë një nxitim për të cilin sistemi aktual i drejtësisë nuk ka nevojë. Si gjatë raportimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë edhe në përgjigje të interesit të gazetarëve, Prokurori i Përgjithshëm theksoi se kodi aktual po përdoret me efikasitet nga organet ligjzbatuese. Gjatë raportimit vjetor Çela theksoi problematikat që presin zgjidhje emergjente.
"Një kod i ri penal është i parakohshëm në kushtet në të cilat ndodhet sot sistemi i drejtësisë në Shqipëri". Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, vuri në pikëpyetje nevojën e Kodi të ri Penal, që është në fazë hartimi nga Ministria e Drejtësisë.
"Sot ne kemi një kod pak a sh të kompletuar, i cili është përdorur me efikasitet nga organet ligjzbatuese.
Përgjigjen që dha gjatë raportimit vjetor në Këshillin e Lartë të Prokurorisë Çela e zbërtheu më tej për gazetarët, të cilëve u tha se kodi aktual i përgjigjet situatës kriminale në vend.
‘’Unë mendoj se nuk ka asnjë nxitim për një kod të ri penal. Mendoj se sfidat për sistemin e drejtësisë sot janë të tjera. Imagjinoni sot, që një kod të ri t'i prezantosh, t'i kërkosh aplikimin prokurorëve dhe gjyqtarëve në kushtet e mbingarkesës".
I pyetur nga A2 mbi sulmet e ish-presidentit Ilir Meta nga SPAK dhe drejtuesit të saj, por edhe vlerësimin e tij mbi Prokurorinë e Posaçme, Çela tha:
"Përgjigjen tashmë e ka dhënë KLP. Numri i të dënuarve është më i lartë dhe sistemi po funksionon. Bashkëpunimi ynë me SPAK ka qenë shumë i mirë, performanca që kemi arritur përmes bashkëpunimit ka qenë në nivele të kënaqshme".
Në raportimin e tij për gjendjen e kriminalitetit dhe veprimtarinë e prokurorive të zakonshme në rrethe Çela pohoi se ka një rritje të efiçencës, por termi që përdori tregon se rruga mbetet e gjatë
Ajo çfarë kryeprokurori nënvizoi si problematika nuk është vetëm vështirësia nga ngarkesa e lartë e punës së prokurorëve për shkak të mungesave në sistem. Ai quajti një problem konstant rolin e zbehtë dhe pasiv të oficerëve të policisë gjyqësore. (A2 Televizion)