Qindra shqiptarë të Kosovës kanë kaluar në këmbë kufirin mes dy vendeve në kujtim të eksodit biblik të vitit 1999, ku si pasojë e spastrimit etnik të ndërmarrë nga ushtria serbe e Sllobodan Millosheviçit, mijëra kosovarë u strehuan në vendin tonë. Ky marshim simbolik është kujtesë dhe falënderim për atë kohë të vështirë
Çdo 16 prill që nga viti 1999 e deri tani, qindra shqiptarë të Kosovës në mënyrë simbolike kalojnë në këmbë kufirin administrativ mes Kosovës dhe Shqipërisë për të përkujtuar spastrimin etnik të ushtrisë serbe të Sllobodan Millosheviçit nga njëra anë por edhe mikpritjen e gjithë shqiptarëve. Marshimi i këtij viti ju kushtua sloganit: Mos të harrojmë të kaluarën për një të ardhme në Bashkimin Evropian.
Ndërsa shqiptarët e Kosovës dhe ato të Shqipërisë ndër vite kanë falënderuar dhe mikpritur njëri-tjetrin, nuk ka bërë të njëjtën gjë politika, që sipas pjesëmarrësve në këtë marshim lë shumë për të dëshiruar.
Marshuesit janë pritur më pas në qendër të qytetit të Kukësit, ku ishte organizuar edhe një program festiv.
(A2 Televizion)