Ligji për studentët e mjekësisë, Kushtetuesja legjitimon qëllimin, kërkon reduktimin e afateve

Nga Fjorela Beleshi
25 Janar 2024, 15:29 | Aktualitet

Gjykata Kushtetuese e quajti legjitim qëllimin e qeverisë sa i përket ligjit që detyron studentët e mjekësisë të punojnë në vend, nëse dëshirojnë reduktimin e tarifave universitare. Nga ana tjetër, trupa e vlerësoi më të ashpër se ç’duhet afatin 5-vjeçar të këtij kufizimi, duke kërkuar reduktimin e tij.

Gjykata Kushtetuese kërkon rishikimin e afateve kufizuese, por në thelb nuk e rrëzoi ligjin që detyron studentët e mjekësisë të punojnë në Shqipëri për 5 vjet në këmbim të tarifave universitare të reduktuara.

Në emër të kujdesit shëndetësor, trupa gjykuese e ka cilësuar legjitim kufizimin e vendosur nga qeveria, e cila u kërkon studentëve të mjekësisë të shërbejnë në vend, para se të gëzojnë të drejtën e largimit jashtë shtetit: “Kufizimi është vendosur me ligj dhe për interes publik, i cili lidhet me detyrimin e shtetit për të garantuar kujdes shëndetësor ndaj shtetasve, të parashikuar nga neni 55 i Kushtetutës”. 

Çfarë gjykata konteston dhe kërkon të ndryshojë në ligj është kohëzgjatja e këtij kufizimi, që ishte përcaktuar në 5 vjet nga mbarimi i studimeve universitare: “Afati 5-vjeçar i parashikuar nga neni 4 i ligjit rezulton më i ashpër se sa nevoja për të përmbushur objektivin legjitim. Duke u nisur nga premisa që afati 5-vjeçar nuk është proporcional dhe duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, u gjykua që të rishikohen edhe afatet e tjera 3-vjeçare dhe 2-vjeçare të përcaktuara në të njëjtin nen”.  

Një element i dytë që shkon në favor të studentëve është fakti se Kushtetuesja vëren një boshllëk normativ kur nënvizon se mjekut të sapodiplomuar nuk i garantohet ligjërisht vendi i punës, apo trajtimi financiar në rast se nuk do të ketë punësim të menjëhershëm: “Gjykata ka konstatuar gjithashtu se neni 6 i ligjit ka ometim ligjor. Ometimi ka të bëjë me mungesën e kritereve objektive të punësimit me prioritet, trajtimin financiar në kuadër të sigurimit të mjeteve të nevojshme të jetesës, sipas nenit 49 të Kushtetutës, si dhe përllogaritjen e periudhës në pritje në kohëzgjatjen e detyrimit për punësim”. 

Gjykata detyron Kuvendin që brenda 3 muajsh të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore. Deri në momentin që legjislativi do të bëjë ndryshimet e kërkuara, marrëveshja e qeverisë për studentët është e pazbatueshme.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos