Saga merr fund. Mandati i Holta Zaçajt përfundon më 10 mars 2025. Është vetë Gjykata Kushtetuese që rrëzoi kryetaren e saj Holta Zaçaj me shumicë votash. Fillimisht ajo njëzëri vendosi refuzimin e kërkesës së Zaçajt për opinion nga Komisioni i Venecias dhe pezullimin e shqyrtimit të çështjes deri në marrjen e atij opinioni, shkruan A2 CNN.
Gjykata sqaron në njoftimin publik se i takon asaj shpallja e vakancës dhe njoftimi i organit të emërtesës, në këtë rast Gjykatës së Lartë dhe jo e kundërta, sikundër ka ndodhur me vendimin e Sokol Sadushit. Gjykata sqaron se pas reformës kushtetuese të vitit 2016 ky është rasti i parë kur ajo përballet me përmbajtjen dhe zbatimin e nenit 179, pika 3, të Kushtetutës dhe.
179/3. Me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2017, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025 dhe gjyqtari i ri, që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2020, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2028. Gjyqtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese emërohen për të gjithë kohëzgjatjen e mandatit, sipas ligjit.
Gjykata Kushtetuese
Në pamje të parë ky nen nuk përcakton datën e mbarimit të mandatit, por vetëm vitin 2025. Po kështu edhe neni 86 i ligjit organik të Gjykatës, si dhe akti i zgjedhjes së Holta Zaçajt nga Mbledhja e Posaçme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë janarin e 2023-shit. Por Gjykata Kushtetuese vuri re se qëllimi i nenit 179, pika 3, të Kushtetutës është garantimi i përtëritjes së rregullt të përbërjes së Gjykatës. Po ashtu teksti i kësaj dispozite nuk flet për gjyqtarë pasardhës, por për gjyqtarin zëvendësues të atij që i mbaroi mandati në vitin 2017. Gjykata mbajti në konsideratë faktin se Kushtetuta parashikon si datë të fillimit të detyrës betimin para Presidentit të Republikës, e njëjta referencë edhe për ligjin organik.
Në aktet e njoftimit të vakancës, organi i emërtesës, Gjykata e Lartë, ka specifikuar se gjyqtari i ri që zgjidhet qëndron në detyrë deri në mars 2025. Gjykata rithekson se parimi i pavarësisë nënkupton, gjithashtu, se gjyqtari, në momentin e emërimit, duhet të dijë kohëzgjatjen e këtij mandati, bazuar në rregullimet ligjore përkatëse dhe kjo kohëzgjatje nuk mund të lihet në diskrecion të organeve që e kanë emëruar/zgjedhur atë.
Edhe pse Kushtetuesja bën të qartë se nuk duhej të ishte shpallur vakanca nga kryetari i Gjykatës së Lartë, ajo përsëri vendosi të vijojë procedurën e nisur nga ai organ emërtese për anëtarin e ri të Gjykatës Kushtetuese. Kjo duke qenë se të si e Larta ashtu edhe Kushtetuesja llogarisin 10 marsin qe vjen si datë të mbarimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj. (A2 Televizion)