“SPAK të godasë si Italia në ’92” Hitaj: Kush politikan ka vjedhur, të përballet me drejtësinë

Nga A2 CNN
14 Maj 2026, 22:29 | Aktualitet

Gazetari Arbër Hitaj, duke komentuar punën e SPAK, u shpreh se institucioni ka kaluar tashmë fazën embrionale dhe duhet të ndërmarrë një qasje shumë më të fortë kundër korrupsionit në nivelet e larta.

I futar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, ai tha se Shqipëria nuk ka nevojë “të shpikë rrotën”, por të ndjekë modelin italian të viteve 1992, kur prokuroria e Milanos nisi operacionin e famshëm kundër korrupsionit që tronditi politikën italiane.

“Ka ardhur koha që SPAK të ngrihet në një nivel tjetër. Në Itali, në vitin 1992, një arrestim i vetëm krijoi një ortek hetimesh që përfshiu mijëra zyrtarë, biznesmenë dhe figura të rëndësishme. U shkatërrua një kulturë e tërë korrupsioni dhe mori fund ajo që quhej republika e parë”, deklaroi Hitaj.

 “Nuk mund të vazhdohet pafund me hetime sporadike për dy apo tre zyrtarë. Nëse korrupsioni është kaq i përhapur sa perceptohet, atëherë duhet një proces i thellë dhe i gjerë. Ka ardhur koha për një fund me dhimbje për këtë klasë politike”, u shpreh ai.

Hitaj shtoi gjithashtu se SPAK duhet të fokusohet më shumë edhe tek oligarkët dhe lidhjet e tyre me politikën.

Me politikanët është vepruar, por duhet të ketë hetime dhe goditje edhe ndaj oligarkëve. Nuk mjafton të merren vetëm disa individë. Duhet një proces real që të çojë në ndryshim të sistemit”, deklaroi gazetari. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos