Mbeti me dy nxënës, një tjetër shkollë e mbyllur në Qarkun e Korçës

Nga Artin Halili dhe Gazmend Janku
14 Shtator 2026, 14:51 | Aktualitet

Një tjetër shkollë nuk arriti dot të hapte dyert këtë shtator në qarkun e Korçës. Shkolla fillore e Eçmenikut u mbyll dhe dy fëmijët e vetëm që ndodhen në këtë fshat janë transferuar për të ndjekur arsimimin në Bilisht.

Edhe pse Zyra Vendore e Arsimit në Korçë, në njoftimin e saj, deklaronte se nuk do të kishte shkolla të mbyllura, me sa duket, këtë të Eçmenikut nuk e kanë llogaritur si shkollë. Edhe pse në vitet e fundit kjo shkollë ka funksionuar me një numër minimal nxënësish, tre deri në katër, mbyllja e saj e bën akoma më të heshtur këtë fshat.

Ndërsa kjo është godina e shkollës së bashkuar në një tjetër fshat, në fshatin Fitore. Këtë vit mësimor këtu nuk ka pasur asnjë regjistrim në arsimin e mesëm, ndërsa gjithsej këtu mësojnë tetë nxënës. Ndoshta vitin e ardhshëm mësimor edhe kjo shkollë mund të jetë ajo e radhës që mund të mbyllet në qarkun e Korçës.

Pa të rinj dhe me shumë pak të moshuar, pa shkolla dhe pa qendra shëndetësore, këto fshatra shumë shpejt do të kthehen në toponime ku dikur banonin njerëz. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos