Protestë dhe alarm për bombë, prishet qetësia në ditën e parë të shkollës, policia arreston disa persona

Nga A2 CNN
14 Shtator 2026, 14:12 | Aktualitet

Dita e parë e shkollës nisi jo vetëm me fëmijët që u ulën për herë të parë në banka apo ata që u rikthyen, por edhe me incidente.

Një grup personash nisën protestën para shkollës “Qemal Stafa” në Tiranë. Me flamuj kuq e zi, fillimisht u grumbulluan në trotuare.

Prania e tyre bëri që të kërkohej ndërhyrja e policisë, ndërsa protesta nisi të zhvendosej drejt Sheshit Shqiponja, me qëllim marshimin drejt Sheshit Skënderbej, çka hasi në kundërshtimin e policisë për të mos lejuar bllokimin e trafikut. Disa persona u shoqëruan.

Megjithatë, incidentet nuk u ndalën këtu. Një tjetër alarm në këtë ditë të parë u dha në shkollën “Emin Duraku”. Një telefonatë e bërë rreth orës 06:30 njoftoi për vendosjen e një bombe, çka pas kontrolleve rezultoi e pavërtetë. Hetimet nisën menjëherë nga Antiterrori, duke gjurmuar numrin nga i cili u krye thirrja. Burimet thanë se në pranga u vendos Mandi Jatagani, i cili mësohet se është pjesë edhe e protestave që zgjatën mbi 105 ditë para Kryeministrisë.

Madje, vetë autori ka publikuar në rrjetet sociale një video ku bën të ditura veprimet e tij dhe thotë se po priste reagimin e policisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos