Mbi 25 mijë nxënës nisin vitin e ri shkollor në Fier, 3 shkolla hapin dyert pas rikonstruksionit

Nga Çaku Tafa
14 Shtator 2026, 08:39 | Aktualitet

Mbi 25 mijë nxënës nisin vitin e ri shkollor në Fier, 3

25 mijë e 951 nxënës do të nisin nesër vitin e ri shkollor 2026-2027 në qarkun e Fierit. Procesi mësimor do të zhvillohet në 171 institucione arsimore publike, të cilat përfshijnë 129 shkolla 9-vjeçare, 26 shkolla të bashkuara dhe 16 shkolla të arsimit të mesëm të lartë.

Nga numri total i nxënësve, një pjesë e konsiderueshme janë regjistrime të reja. Në klasat e para janë regjistruar 1 mijë e 811 nxënës, ndërsa në klasat e dhjeta të gjimnazeve dhe shkollave të mesme artistike janë regjistruar 2 mijë e 393 nxënës.

Për nisjen e vitit të ri shkollor janë marrë masat për sigurimin e teksteve shkollore, ndërsa për nxënësit e arsimit bazë janë administruar edhe librat e rinj për klasat e para, të gjashta, të teta dhe të nënta. Në rastet kur tekstet e përdorura janë dëmtuar, ato janë zëvendësuar me libra të rinj.

Një tjetër zhvillim për këtë vit është programi “Pas Shkolle”, i cili në qarkun e Fierit do të zbatohet në 47 shkolla. Programi synon t’u mundësojë nxënësve të arsimit bazë kryerjen e detyrave të shtëpisë pas përfundimit të orarit mësimor, si dhe pjesëmarrjen në aktivitete artistike, kulturore dhe krijuese.

Ndërkohë, tre institucione arsimore në qarkun e Fierit do të hapin dyert pas përfundimit të punimeve të rikonstruksionit, duke ofruar kushte të përmirësuara për nxënësit dhe stafet pedagogjike.

Kështu, me mbi 25 mijë nxënës dhe 171 institucione arsimore, qarku i Fierit e nis vitin shkollor 2026-2027 me synimin për një proces mësimor normal që në ditën e parë të shkollës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos