Vermoshi, fshati turistik në qarkun e Shkodrës, vitet e fundit është kthyer një nga destinacionet turistike të preferuara për turistët vendas dhe te huaj. Natyra mahnitëse tërheq vizitorët, por vetë fshati duket se nuk është gati të mirëpresë fluksin e tyre.
Vermoshi, në skajin më verior të Shqipërisë, është një prej atyre destinacioneve ku natyra duket se ka mbetur e paprekur. Malet, kullotat, lumi i Cemit dhe peizazhi i rrallë tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë, vendas e të huaj, që zgjedhin të ngjiten deri në këtë zonë për të përjetuar një Shqipëri tjetër. Për turistët e huaj, mbërritja në Vermosh është një surprizë që nis që në momentet e para.
"Vij nga Republika Çeke. Natyra shumë e bukur, male, plot gjelbërim, kështu që po presim me dëshirë që të eksplorojmë më shumë. Kampin e zbuluam përmes aplikacionit 'Park4night' për të gjetur një vend të mirë për të fjetur me vlerësime të mira, ku mund të qëndronim me makinat tona. Nuk na nevojitet hotel apo diçka e tillë, kështu që kjo ishte perfekte për ne. Pas pak kohësh me kënaqësi do të vinim përsëri", thotë turisti çek.
"Unë jam nga Gjermania. hera ime e parë në Shqipëri. Ndihem vërtet mirë, më pëlqeu shumë se sa mikpritës ishin njerëzit këtu në kamp por edhe natyra mbresëlënëse. Deri tani, jam vërtet e lumtur", shprehet turisti nga Gjermania.
Për banorët vendas, rritja e interesit nga vizitorët shqiptarë dhe të huaj është një mundësi e madhe për zhvillimin e Vermoshit. Megjithatë, jo të gjithë kanë mundur t'i përgjigjen këtij interesi në rritje vitet e fundit. Një prej banorëve tregon se ka kërkesa të shumta për akomodim, por mungesa e mundësive financiare e ka penguar të ndërtojë një bujtinë.
Pak kilometra më tej nga qendra, Vermoshi ofron atraksion natyror ende të panjohur. Kanioni i Bashkimit ndodhet mes malit dhe ujit të kristaltë duke ofruar një pamje mbresëlënëse dhe mundësi për pak plazh në ujin e freskët të lumit Cem. Gjatë muajve të verës është një destinacion për ata që kërkojnë, të eksplorojnë natyrën dhe të kalojnë disa orë larg zhurmës së qyteteve...
Për turistët që vijnë nga mijëra kilometra larg, kanioni i Bashkimit është një zbulim që i lë pa fjalë. Një turiste nga India thotë se gjatë udhëtimeve të saj, shprehet se nuk ka parë diçka të ngjashme me atë që ka gjetur në veri të Shqipërisë.
"Përshëndetje, jam Srishti nga India dhe po, kjo është hera ime e parë në Shqipëri. Jam e habitur nga bukuria që ka veriu i Shqipërisë. Kam bërë udhëtim me makinë gjatë ditëve të fundit, kam qëndruar në kamp dhe ngjitje në mal, hiking. Thjesht kam mbetur pa fjalë. Më parë isha në Theth dhe tani në Lepushë e Vermosh. Pamje të jashtëzakonshme! Dhe nuk mendoj se kam parë ndonjë gjë të ngjashme me veriun e Shqipërisë më përpara. Më pëlqen shumë se si peizazhi ndryshon çdo disa kilometra”, thotë një turiste.
Vermoshi, kanioni i Bashkimit, natyra e rrethuar me male të larta, ujëra të kristalta, ushqime bio dhe peizazhe, ende ruajnë karakterin e tyre të egër. Bashke interesin në rritje për të vizituar këtë natyrë, mbetet edhe sfida e investimeve dhe e kapaciteteve pritëse që ende janë të mangëta. (A2 Televizion)