Viti i ri arsimor në Durrës, disa shkolla ende në rikonstruksion, mësimi zhvendoset në godina pritëse

Nga Elitjona Doko
14 Shtator 2026, 08:34 | Aktualitet

Viti i ri arsimor në Durrës, disa shkolla ende në rikonstruksion,

Edhe në Durrës nis viti i ri arsimor , por jo të gjitha institucionet arsimore hapin dyert për nxënësit. Disa prej tyre vijojnë të jenë në proces rikonstruksioni apo rindërtimi, ndërsa mësimi do të zhvillohet në shkolla pritëse ose do të nisë me vonesë.

Një prej tyre është shkolla 9-vjeçare “Bajram Curri”, ku punimet e rikonstruksionit vijojnë ende. Ndërkohë, në Ishëm, shkolla “Rexhep Mezini” është drejt përfundimit të përgatitjeve dhe, sipas drejtoreshës së Zyrës Vendore Arsimore Durrës, Amarilda Thërmija, pritet të hapë dyert për nxënësit dhe stafin pedagogjik pas rreth 10 ditësh.

Për të shtatin vit radhazi, nxënësit e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” do t’i zhvillojnë mësimet në shkollën pritëse “Marie Kaçulini”. Godina e gjimnazit u shemb pas dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019, ndërsa në truallin e saj u zbulua një sit i rëndësishëm arkeologjik. Rindërtimi i shkollës pritet të nisë së shpejti.

Risia e këtij viti shkollor në Durrës është programi “Pas shkolle”, i cili do të zbatohet në 26 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme të bashkisë. Programi synon t’u ofrojë nxënësve aktivitete pas përfundimit të mësimit, ndërsa regjistrimi do të kryhet nga prindërit përmes platformës digjitale SMIP.

Në program do të angazhohen mësues nga stafet pedagogjike të shkollave, mësues të përzgjedhur përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”, si edhe ish-mësues në pension.

Ndërkohë, krahasuar me vitin e kaluar shkollor, në Durrës vihet re një ndryshim i moderuar i numrit të nxënësve, çka është reflektuar edhe në organizimin e disa klasave në arsimin fillor dhe të mesëm.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos