Mbi 56 sulme çdo minutë... ndaj telefonave, tabletave apo kompjuterëve të qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve në vendi pati rreth 14.6 milionë përpjekje për sulme kibernetike në gjysmën e parë të vitit.
Eksperti i IT Besmir Semanaj shprehet: “Rritja e numrit të tentativave tregon se kërcënimi kibernetik është bërë i përditshëm. Sulmet nuk synojnë vetëm institucionet shtetërore, por edhe bizneset dhe qytetarët, të cilët shpesh nuk janë të ndërgjegjshëm se një pajisje e pambrojtur mund të shërbejë si pikë hyrëse për sulmuesit.”
Pjesa më e madhe tyre, 62 për qind ishin të llojit Avalache-Andromeda, ndekur nga ato Sysemz, Adload, Android hummer, Qakbot dhe Downadup.
“Llojet e programeve keqdashëse që po qarkullojnë kanë objektiva të ndryshëm, nga vjedhja e të dhënave personale dhe financiare deri te bllokimi i sistemeve apo kontrolli në distancë i pajisjeve. Për këtë arsye, investimi në sigurinë kibernetike nuk është më një zgjedhje, por një domosdoshmëri”, vijon Semanaj.
Rënia e “shtetit digjital” 4 vite më parë, bashkë me përpjekjet e vijueshme të Iranit për sulme kibernetike, kthyen vëmendjen e të gjithëve si kurrë më parë te siguria digjitale. Po bizneset vijojnë të mos i raportojnë të gjitha rastet.
“Raportimi i incidenteve mbetet një nga hallkat më të dobëta. Shumë kompani preferojnë t'i zgjidhin problemet brenda strukturave të tyre, pa i bërë publike, ndërsa kjo pengon krijimin e një tabloje të saktë të rrezikut dhe koordinimin e masave parandaluese në nivel kombëtar”, shprehet eksperti i IT.
Sipas Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike Tentativat kanë synuar sektorë të ndryshëm, përfshirë sektorin financiar, administratën publike, infrastrukturën digjitale dhe atë energjetik. (A2 Televizion)