Çmim i lartë, kërkesë e ulët. Rivlerësimi rrit numrin e apartamenteve për shitje në Vlorë

Nga Edi Ruçi dhe Gazmend Janku
4 Gusht 2026, 13:02 | Aktualitet

Procesi i rivlerësimit të pronave të patundshme, veçanërisht të apartamenteve, ka shtuar ofertën në tregun imobiliar të Vlorës. Ndërsa deri para pak muajsh në treg kishte më shumë kërkesë sesa ofertë, aktualisht situata ka ndryshuar.

Por çfarë lloj pronash janë në treg që presin blerës të rinj? “Po ta krahasojmë me vitet e kaluara, flasim jo më larg, por me 2025-ën, kemi më tepër prona që janë prona të vjetra që janë me certifikatë dhe janë rivlerësuar dhe kanë dalë në treg po shitje. Kjo ka ndikuar, mendoj se ka dhënë ndikimin e saj rivlerësimi për nxjerrjen në treg të pronave të reja”, thotë për A2 CNN Ndriçim Meminaj, agjent imobiliar në Vlorë.

Çfarë kategorish janë pronat? “Po apartamente, shtëpi private, pak janë njësi biznesi, por që më tepër janë apartamente dhe shtëpitë private. Apartamentet kam peshën kryesore të pronave që janë rivlerësuar”, thotë ai.

Agjenti imobiliar përcakton edhe vendndodhjen e pronave që aktualisht janë gati për shitje. “Pronat që janë rivlerësuar normalisht janë në zonat më brenda qytetit. Një pjesë mund të themi, zona e Lungomares, Plazhi i Vjetër, zona e Skelës, Bulevardi, Transbalkanikja, këto janë zonat që ne merremi pak a shumë më tepër me pjesën e shitjeve, me pronat që janë të certifikuara, pastaj zonat që janë në ndërtim e sipër, siç është Radhima, normalisht rivlerësimi nuk është se ndikon shumë pasi janë prona të reja dhe dihet që janë blerë së fundmi dhe janë me çmimin e tregut dhe nuk ka nevojë për rivlerësim”, tregon Meminaj.

Edhe pse kërkesa për blerje për momentin është e ulët, me sa duket sezoni i lartë veror dhe veçanërisht muaji gusht, që përkon edhe me ardhjen e emigrantëve, shfrytëzohet edhe për të pikasur pronat. “Sezoni ynë mund ta quajmë shtatorin e në vazhdim pasi janë klientë që kanë ardhur, kanë bërë pushime, u ka pëlqyer vendi edhe e shkojnë si mundësi për të bërë investim”, tregon Meminaj.

Aktualisht çmimet e apartamenteve në qytetin e Vlorës variojnë nga 1000 deri në 1200 euro në brendësi të qytetit e deri në 2500 dhe 3500 euro për metër katror në vijën e parë pranë detit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos