
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, AKU, ka bllokuar një sasi prej 7675 kg miell në Durrës që ka rezultuar me afat të kaluar përdorimi, raporton A2CNN. Bëhet me dije se produkti do të qëndrojë i bllokuar në magazinën e subjektit deri në kryerjen e procesit të asgjësimit të tij.
“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Sektori i Monitorimit dhe Hetimit Ushqimor në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, kanë kryer kontroll zyrtar referuar informacionit të ardhur nga Dega e Doganës Durrës në një subjekt, ku u konstatuan produkte ushqimore me afat të kaluar përdorimi, përkatësisht: Miell Semila La Croccantina me datë skadence 01.04.2025 sasia prej 101 copë x 25 kg; Miell gruri për pizza Alla Pala Pinsa me datë skadence 07.04.2025 sasia prej 206 copë x 25 kg. Në zbatim të Ligjit nr. 99/2024 “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë” neni 46, pika 1 u krye procedura e bllokimit të produktit miell, sasia totale prej 7675 kg, produkt i cili do të qëndrojë i bllokuar në magazinën e subjektit deri në kryerjen e procesit të asgjësimit të tij”, thuhet në njoftim. (A2 Televizion)