
Tregjet financiare amerikane dhe ato ndërkombëtare kanë regjistruar rënie të ndjeshme, pasi një valë shitjesh goditi sektorin e teknologjisë, duke përfshirë edhe kompanitë më të mëdha të inteligjencës artificiale.
Në fokus të investitorëve janë aksionet e kompanisë Anthropic, të cilat pas një debutimi pozitiv në bursë të enjten, pësuan rënie të premten, duke iu afruar çmimit fillestar të ofertës publike (IPO).
Aksionet e Anthropic ranë në një moment me më shumë se 12%, duke zbritur në rreth 85 dollarë, pranë çmimit fillestar prej 83 dollarësh. Në mbyllje të sesionit, ato regjistruan një rënie prej 8.5%, duke humbur një pjesë të konsiderueshme të fitimeve të ditës së parë të tregtimit.
Rënia u shoqërua me një tendencë negative në bursat amerikane. Indeksi Nasdaq, ku pesha e kompanive teknologjike është e lartë, ra me 5.3%, ndërsa S&P 500 humbi 3.7%. Dow Jones u mbyll me një rënie prej 1.9%.
Sipas analistëve, investitorët po bëhen gjithnjë e më të kujdesshëm ndaj investimeve masive në inteligjencën artificiale, duke ngritur pikëpyetje nëse shpenzimet e mëdha të kompanive do të përkthehen në fitime konkrete dhe të qëndrueshme.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, një grup i vogël gjigantësh të teknologjisë kanë shpenzuar më shumë se 1 trilion dollarë për zhvillimin e inteligjencës artificiale, duke shtuar shqetësimet për mundësinë e krijimit të një flluske financiare.
Presioni në treg preku edhe kompanitë e tjera të mëdha. Aksionet e Nvidia ranë me 13.7%, ndërsa Tesla dhe SpaceX regjistruan humbje prej më shumë se 7.6%. Edhe Meta dhe Amazon u mbyllën në territor negativ, përkatësisht me rënie mbi 5% dhe 4%.
Tendenca negative u përhap edhe në tregjet evropiane dhe aziatike. Indeksi gjerman DAX ra me 2.6%, CAC 40 i Francës me 1.9%, ndërsa FTSE 100 në Britani humbi 1%.
Në Azi, rëniet ishin edhe më të theksuara. Indekset Kospi në Korenë e Jugut dhe Nikkei 225 në Japoni humbën rreth 5%, ndërsa bursa e Tajvanit ra me rreth 6% vetëm gjatë së premtes, duke e çuar humbjen javore në mbi 17%. (A2 Televizion)