13 nisma dhe 10 reforma për mbrojtjen e fëmijëve, MSHMS: 185 rekomandime nga 19 institucione

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2026, 10:30 | Aktualitet

13 nisma dhe 10 reforma për mbrojtjen e fëmijëve, MSHMS: 185

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka konsoliduar 185 rekomandime të paraqitura nga 19 institucione dhe organizata, duke i përmbledhur në 13 nisma dhe 10 reforma konkrete për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.

Paketa e ndërhyrjeve vjen pas porosisë së Kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve. Propozimet synojnë përmirësimin e kuadrit ligjor, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe koordinimin e shërbimeve për fëmijët.

Gjatë mbledhjes, të zhvilluar në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, u dakordësua edhe një Deklaratë e Përbashkët, përmes së cilës institucionet angazhohen për mbrojtjen e dinjitetit, pjesëmarrjes dhe garantimin e shanseve të barabarta për çdo fëmijë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, theksoi rëndësinë e respektimit të së drejtës së fëmijëve për t'u shprehur, për t'u dëgjuar dhe për të marrë pjesë në jetën publike.

Ajo nënvizoi gjithashtu përgjegjësinë e institucioneve për t'i mbrojtur fëmijët nga dhuna, manipulimi dhe shfrytëzimi.

“Duhet të jemi të qartë se e drejta e fëmijëve për t'u shprehur, për t'u dëgjuar dhe për të marrë pjesë në jetën publike duhet të respektohet. Njëkohësisht, kemi përgjegjësinë për t'i mbrojtur ata nga çdo formë dhune, manipulimi, shfrytëzimi apo përfshirjeje në veprime që cenojnë sigurinë dhe zhvillimin e tyre”, u shpreh Spahiu.

Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama kërkoi që Këshilli Kombëtar të funksionojë si një strukturë aktive, me një plan konkret dhe të kalendarizuar, për të ndjekur zbatimin e masave në mbrojtje të fëmijëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos