Borë në maj! Ky është parashikimi i befasishëm i motit për këtë javë. Meteorologia e A2 CNN, Tanja Porja, tha në “Dita jonë” se nga e mërkura ekziston një mundësi reale për reshje bore në malet shqiptare.
“Mesjava është mjaft e ftohtë. Shpresojmë që nuk do të ketë reshje dëbore në mes të majit, në majat e maleve. Megjithatë të gjitha sinjalet thonë që të enjten dhe të premten mund të kemi prezencë të reshjeve të pakta të dëborës edhe në majtë e maleve në Shqipëri, Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni sepse është e sigurt që të martë të mërkurë në veri të Ballkanit do të ketë sërish reshje dëbore”, u shpreh meteorologia.
Dita e hënë do të vijojë me vranësira, intervale të shkurtra me kthjellime, prezencë e reshjeve krejt të pakta më së shumti në zonat veriore dhe verilindore të vendit. Termometri qëndron në vlera mjaft të larta si në orët e mëngjesit, ashtu edhe në mesditë. Mëngjesi shënon rreth 7 gradë vlera më e ulët, ndërsa maksimumi arrin rreth 26-27°C.
“Vijon moti i paqëndrueshëm edhe gjatë ditëve të martë dhe të mërkurë, me reshje të pakta. Gjatë së martës, reshjet do të shfaqen kryesisht në veri, pjesërisht në qendër dhe në zonat verilindore. E njëjta situatë paraqitet pak a shumë edhe të mërkurën, deri vonë pasdite, kur reshjet zgjerojnë shtrirjen drejt qendrës dhe një pjese të jugut. Është dita e enjte ajo që sjell rrebeshe afatshkurtra thuajse në të gjithë territorin shqiptar. Një sistem vranësirash kalon shumë shpejt gjatë së enjtes dhe pjesërisht të premten, duke prodhuar rrebeshe të shkurtra në veri dhe qendër, ndërsa më të pakta në jug të territorit shqiptar.
Edhe dita e shtunë, në pjesën e parë të saj, do të jetë pak a shumë në të njëjtat kushte atmosferike, me prezencë të vranësirave dhe rrebesheve afatshkurtra. Pra, përveç ditës së sotme dhe të martës, nga e mërkura kemi fuqizim të vranësirave, por edhe shtim dhe intensifikim të reshjeve në territorin shqiptar”, tha meteorologia.
Të hënën temperaturat do të jenë të larta. Nga e marta do të kemi një rënie të temperaturave vetëm në zonat lindore, por vijon një rritje e lehtë e temperaturave në pjesën tjetër të territorit. Maksimumi ngjitet në 28°C, ndërsa të mërkurën kemi një rënie të lehtë në orët e mëngjesit dhe një rënie më të theksuar, me të paktën 4 gradë, në orët e mesditës në të gjithë territorin shqiptar. Kjo bën që maksimumi të zbresë brenda 24 orëve me 4-5 gradë, nga 28°C në 23 apo 24°C për ditën e mërkurë.
Dita e enjte do të nisë me një mëngjes mjaft të ftohtë, me rreth 3 gradë vlera minimale në rang territori, në orët e para të ditës në zonat e thella malore. Ndërsa në mesditë kemi një rritje të lehtë të temperaturave. Kjo rritje vijon gradualisht edhe gjatë mëngjeseve të së premtes dhe të shtunës.
Po ashtu, e premtja sjell një rritje të temperaturave në mesditë, pavarësisht prezencës së vranësirave dhe reshjeve, për shkak të qarkullimit të masave ajrore jugore dhe jugperëndimore. Ndërsa krejt ndryshe paraqitet dita e shtunë, me një mëngjes relativisht të ngrohtë, por me temperatura në mesditë jo më shumë se 23°C, për shkak të prezencës së vranësirave të dendura dhe reshjeve në territor”, shtoi ajo. (A2 Televizion)