Sëmundja e murtajës vijon të shënojë raste të reja thuajse në të gjithë vendin. Një vatër e re është zbuluar në një kope me bagëti në Libohovë, në jug të vendit. Shërbimi lokal veterinar u vu në lëvizje me kërkesë të bariut të tufës, i cili kishte kërkuar leje për të shtegtuar me tufën, shkruan A2 CNN. Por pas analizave të kryera, rezultati doli pozitiv dhe tufa tashmë është vënë në karantinë dhe po mbikëqyret nga shërbimi veterinar.
Ndërkohë, më herët vatra të murtajës te bagëtitë janë zbuluar edhe në Skrapar dhe Devoll. Veterinerët shprehen se temperaturat e larta ulin rezistencën e virusit dhe shpresohet që kjo pandemi të mbyllet deri në vjeshtë, kur temperaturat freskohen dhe virusi mund të bëhet më rezistent.
Sakaq, si rrjedhojë e situatës së krijuar, është ndaluar plotësisht transporti dhe lëvizja e bagëtive. Megjithatë, pavarësisht masave të marra, sërish ka tentativa për të tregtuar mish pa kaluar më parë në kontrollet e parashikuara në ligj.
Një rast i tillë është konstatuar në Shkodër. Një fermë në Postribë të Shkodrës ishte shenja e parë e përhapjes së murtajës në dhjetëra tufa të tjera që janë zbuluar në mbarë vendin. (A2 Televizion)