Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në lagjen Myq-Mamëz të qytetit të Kukësit.
Flakët janë përhapur me shpejtësi në një perimetër të gjerë, ndërsa shtëllungat e tymit kanë mbuluar jo vetëm zonën përreth, por edhe vetë qytetin, duke ndikuar ndjeshëm në cilësinë e ajrit.
Ekipet e zjarrfikësve kanë punuar dhe po punojnë pa ndërprerje për të përballuar situatën, duke përdorur mjete uji dhe forca të shtuara, por vatra e zjarrit vijon të jetë aktive.
Era dhe mbetjet e ndezshme e kanë bërë të vështirë vënien nën kontroll të flakëve.
Ky është rasti i tretë brenda tre viteve që fusha e mbetjeve digjet, një fakt që ka ngritur dyshime të forta për zjarrvënie të qëllimshme.
Autoritetet lokale ende nuk kanë dhënë një qëndrim zyrtar mbi shkaqet e zjarrit, por hetimet paraprake nuk përjashtojnë mundësinë e një veprimi të qëllimshëm.
Rasti ka rikthyer në vëmendje mungesën e një plani të qëndrueshëm për menaxhimin e mbetjeve në Kukës, si dhe nevojën për monitorim të vazhdueshëm dhe investime në trajtimin e mbetjeve dhe sigurinë e ambienteve të depozitimit. (A2 Televizion)