Udhëzimi për konservimin dhe mirëmbajtjen e objekteve monumente kulture pritet të ketë një zbatim të gjerë në Gjirokastër, e cila ka numrin më të madh të këtyre objekteve në rang vendi.
Në fakt, në Gjirokastër janë me dhjetëra banesa monumente kulture të kategorisë së parë dhe të dytë, që janë në gjendje të rrënuar, për shkak se pronarët ose bashkëpronarët, në shumë raste, nuk bien dakord për të kryer investimet e nevojshme për t’i mirëmbajtur.
Pikërisht për të mos lejuar degradimin e këtyre objekteve, ministria ka nxjerrë një udhëzim të ri, funksionimi i të cilit shpjegohet nga drejtuesi i Zyrës së Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër. “Nëse degradimi ndodh për mungesë përgjegjësia, ministria do të ndërhyjë me financim duke vendosur një përqindje të caktuar për pronarin”, tha Ardis Duka, drejtor i DRTK, Gjirokastër:
Kjo strategji, në rastet kur pronarët do të vijojnë të tregohen indiferentë ndaj pronës dhe të mos paguajnë detyrimin e lindur për shkak të ndërhyrjes nga shteti, atëherë mund të rrezikojnë edhe humbjen e pronës.
“Të gjitha banesat pothuajse kanë konflikte pronësie. Nga krahu tjetër investitorë të ndryshëm janë të interesuar për të investuar dhe nuk po gjejnë banesa. Atëherë shteti do të ndërhyjë me anë të ligjit në fuqi për t’i mbajtur ato”, tha Duka.
Në qendrën historike të Gjirokastrës janë më tepër se 350 objekte monumente kulture, nga të cilat rreth 90 banesa janë evidentuar si të rrezikuara apo të degraduara dhe kanë nevojë emergjente për ndërhyrje. (A2 Televizion)