Moti i keq me reshje bore dhe erë të fortë, Balluku bën përditësimin e situatës në Veri dhe Juglindje

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2023, 19:25 | Aktualitet

Juglindja dhe verilindja e vendit prej orëve të para të mëngjesit të sotëm janë përfshirë nga një mot i acartë, i karakterizuar nga reshje dëbore dhe erëra të forta.

Trashësia e dëborës në zonat malore të qarkut të Korçës arriti deri në 50 cm, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve në Dardhë, Vithkuq, aksin Korçë-Kapshticë dhe në rrugën e vjetër të Qafës së Qarrit, ku automjetet mbetën të bllokuara për disa orë për shkak edhe të rrëshqitjes së dherave.

Probleme me qarkullimin e mjeteve janë regjistruar edhe në fshatrat malorë të qarkut të Kukësit, ku subjektet kontraktore kanë punuar gjatë gjithë ditës për pastrimin, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të tyre.

Më e rënduar situata paraqitjes për shkak të problemeve me furnizimin me energji elektrike në zonat e prekura nga moti i keq.

Ndërkohë gjatë pasdites ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka bërë një përditësim të situatës për Veriun dhe Juglindjen, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.

Ajo sqaron se po punohet intesivisht në terren nga grupet e OSSH për të rikthyer energjinë elektrike.

Pavarësisht kushteve të vështira të motit, grupet e punës së OSSH kanë ndërhyrë për riparimin e defekteve në rrjetin  elektrik. Rajoni i Korçës është stabilizuar, po ashtu edhe Kukësi dhe zonat përreth. Ka ende disa zona në vend ku elektricistët po vijojnë punën me ritme të kushtëzuar nga moti, në zbatim të sigurisë teknike.  Linjat 35kV dhe rrjeti që furnizon hidrovoret apo institucionet e rëndësisë së veçantë janë në funksion të plotë”, sqaron Balluku. (A2 Televizion)

 

A2 CNN Livestream

Latest Videos