Ideja e krijimit të një Urdhri Sovran Bektashi në Shqipëri nuk ka trazuar vetëm politikën por edhe fenë. Komuniteti Mysliman Shqiptar doli me një komunikatë zyrtare për mediat duke dalë kundër kësaj iniciative, madje duke e cilësuar edhe si një precedent të rrezikshëm për vetë shtetin shqiptar.
“Komuniteti Mysliman është mazhoritar në Republikën e Shqipërisë dhe një ndër kontribuesit kryesor të dialogut e harmonisë fetare në vend. Kjo nismë për të cilën jemi njohur përmes medias është e pakonsultuar me komunitetet fetare, të cilat për të tilla raste kanë ngritur edhe një institucion të veçantë, të lavdëruar nga të gjitha vendet Perëndimore, siç është Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë”, thuhet në deklaratë, shkruan A2 CNN.
Përveç evidentimit si komuniteti më i madh fetar në Shqipëri, KMSH nuk nguroi ta thoshte hapur se një iniciativë e tillë mund të kthehet në një precedentë të rrezikshëm, sa kohë bektashinjtë janë komuniteti më i vogël fetar në vend.
“Vendi ynë nuk ndodhet përballë ndonjë rreziku të prishjes së harmonisë e dialogut, përkundrazi, nisma të tilla mund të jenë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit. Ne do të vijojmë ta ndjekim me vëmendje këtë çështje dhe do të ndërmarrim hapat e nevojshme konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit tone”.
Krahas objeksionit të idesë së krijimit të shtetit bektashi, komuniteti mysliman kundërshton edhe etiketimin që i është bërë bektashizmit në Shqipëri, si islami shqiptar.
“Në këtë kontekst, ne shprehim shqetësimin tonë lidhur me deklaratat publike ku flitet për “Islam modern” apo “Islam shqiptar” apo edhe për shtet Islam brenda republikës tonë. Këto terma nuk kanë asnjë lidhje me Islamin si fe, e cila është fe universale dhe bazohet mbi Kuranin dhe Traditën Profetike dhe respekton kushtetutat e ligjet në çdo vend ku bën pjesë”, thuhet në deklaratë, shkruan A2.
E teksa gjërat në Tiranë kanë filluar të trazohen, kjo gjë duket se nuk e shqetëson kryeministrin Edi Rama i cili nga New Yorku promovoi në rrjetet e tij sociale librin mbi bektashizmin shqiptar. (A2 Televizion)
Myslimanët kundër Ramës e Baba Mondit, KMSH: Shteti bektashi, precedent i rrezikshëm për vendin
