Nderohet gjeniu i letrave shqipe, përcillet në banesën e fundit Ismail Kadare, lë pas letërsinë e tij

Nga A2 CNN
3 Korrik 2024, 17:16 | Aktualitet

Arkëmorti që shoqërohej nga garda e republikës mëngjesin e kësaj të mërkure korriku teksa pritej lamtumira e fundit, kaloi përmes koridorit të mbushur me kryevepra, në koridorin e një teatri, që “Stinën e mërzitshme në Olimp”, “Plagën e dhjetë të Gjergj Elez Alisë” apo legjendën e “Kostandinit dhe Doruntinës” ia la shkrimtari trashëgimi botës dhe jo vetëm teatrit.   

Brenda familjarët vendosur përballë tij, e shihnin shkrimtarin ashtu sikurse edhe ata që prisnin në radhë ta nderonin, nën krahët e shenjtores shqiptare Nënë Terezës. Njëlloj si rastësia e solli që dje në ditën e zisë ca pika shiu të binin mbi qelq, kreu i qeverisë, Rama tha se rastisia e solli që Nënë Tereza të ishte aty për këto homazhe.

Asnjëherë më parë vargjet e rreshtat e një shkrimtari që na bën shenjë e ikën, nuk janë pëshpëritur më shumë se sot në ambientet e një institucioni. Të interpretuara nga aktorë rreshtat e shkruara nga Ismail Kadare i gjeje, të shtypura në libra të lidhur, në fletë gazetash, në libra të ekspozuar, por edhe në pëshpërimën e dikujt që kishte shkuar të nderonte shkrimtarin që i la aq shumë pasuri.

Pas heshtjes që shënjoi momentin e përcjelljes, duartrokitjeve dhe luleve të bardha e të kuqe që fluturuan në ajër si ta shoqëronin në qiej të largët, trupi i pajetë i është besuar familjarëve, të cilët zgjodhën të ishim në vetminë e tyre teksa i jepnin lamtumirën trupit me dëshirën e vetme të autorit, për ta kujtuar atë, jo përmes kryeveprave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos