Ndërpritet sinjali i News 24, Policia ndërhyn në ambientet e televizionit

Nga A2 CNN
9 Gusht 2025, 09:58 | Aktualitet

Ndërpritet sinjali i News 24, Policia ndërhyn në ambientet e

Policia e Shtetit ka ndërhyrë sot në ambientet e punës së Focus Group, ku ushtrojnë aktivitetin televizionet News 24, Panorama, BalkanWeb dhe Gazeta Shqiptare.

Që në orët e para të mëngjesit, uniformat blu kanë kërkuar lirimin e mjediseve dhe zbrazjen e godinës në ish-Uzinën e Autotraktorëve, në lagjen Shkozë të Tiranës.

Sipas Drejtoreshës së Përgjithshme të News 24, Anila Jole, policia ka ndërprerë me forcë dhe pa asnjë paralajmërim sinjalin e transmetimit.

“Punonjësit janë penguar të hyjnë në vendet e tyre të punës, ndërsa qytetarët janë privuar nga kanali më i madh dhe më i besueshëm informativ në vend. Ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të drejtës kushtetuese për informim dhe ndaj lirisë së shtypit, që përbën themelin e çdo demokracie,” është shprehur Jole.

Ndërhyrja ka shkaktuar një valë reagimesh nga organizata të medias, gazetarë dhe politikanë, të cilët e kanë cilësuar vendimin si shkelje të lirisë së fjalës.

Reagime nga politika:

Jorida Tabaku: “Rrethimi i News 24 nuk është thjesht presion ndaj medias – është një sulm i hapur ndaj demokracisë.”

Agron Gjekmarkaj: “Policia në dyert e medias është sfidë ndaj lirisë, heqje dorë nga demokracia si parim, shkelmim i integrimit si ëndërr shekullore. Këto janë metoda fashiste e komuniste.”

Ilir Alimehmeti: “Kur policia ndërhyn për të penguar punën e gazetarëve, kjo shihet si përpjekje për të fshehur të vërtetën ose për të mbrojtur interesa të caktuara.”

Belind Këlliçi: “Ky është hapi i fundit drejt instalimit të një diktature.”

Deri më tani, Policia e Shtetit nuk ka bërë publike asnjë detaj mbi këtë aksion. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos