“Ne jemi një dhe të tillë do qëndrojmë”. Këtë mesazh përcolli nga Tirana studenti nga Shkupi Besar Sejdiu në protestën e zhvilluar këtë pasdite në kryeqytetin shqiptar në mbështetje të studentëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët kërkojnë zbatimin e ligjit të gjuhës shqipe në universitete dhe institucione.
Në fjalën e tij para mbështetësve Sejdiu tha se ai që nisi si problem sot po kthehet në një ortek të madh qytetar e kombëtar.
“Nuk është as privilegj as kënaqësi që sot të jem këtu. Është obligimi ynë i përbashkët kombëtar që të themi të gjithë atyre që mendojnë se mund të na përçajnë si komb në Tiranë, Prishtinë e Shkup, se gabohen rëndë. Ajo që nisi si problem i kolegëve tanë në drejtësi, sot po kthehet në një ortek të madh qytetar e kombëtar. Synim ka vetëm një gjë, zbatimin e plotë të barabartë të gjuhës shqipe, ashtu siç e garanton kushtetuta dhe ligji. Ne nuk kërkojmë privilegje, nuk kërkojmë mëshirë dhe as favore politike. Kërkojmë vetëm barazi dhe respekt për atë që na takon. Sot nga Tirana ka vetëm një mesazh. Ne jemi një dhe të tillë do qëndrojmë”, u shpreh ai.
Ai theksoi gjithashtu se shqiptarët do të jenë bashkë në mbrojtje të dinjitetit, gjuhës dhe identitetit kombëtar.
“Bashkë në çdo sfidë, bashkë në mbrojtje të dinjitetit, gjuhës dhe identitetit tonë kombëtar. Dhe le ta dëgjojmë mirë të gjithë. Shqiptarët nuk do heshtin sa herë që tentohen të mohohet e drejta për të gjet të barabartë në tokën e tyre”. (A2 Televizion)