Teksa në orën 17:00 pritet të nisë në Tiranë protesta e studentëve në mbështetje të studentëve në Maqedoninë e Veriut, të cilët prej kohësh kërkojnë zbatimin e plotë të gjuhës shqipe në universitete dhe institucionet shtetërore, studenti nga Shkupi, Çlirim Iseni, apeloi në Ditarin e pasdites me Pandi Gjatën në A2 CNN për mbështetje nga Shqipëria dhe Kosova.
“Unë mund t'ju them që mos na lini vetëm. Ne kemi nevojë për ju, kemi nevojë për nënën Shqipëri dhe vëllezërit tanë, motrat tona në Kosovë. Ju faleminderit gjithë për mbështetjen na dhënë deri tani dhe shpresojmë që vetëm përpara të vazhdojmë mos të kemi më kështu lloj problemesh”, tha ai në A2 CNN.
Sipas Isenit, protesta e sotme në Tiranë synon të rrisë ndërgjegjësimin publik dhe të ushtrojë më shumë presion ndaj institucioneve në Shkup, të cilat sipas studentëve po zvarrisin zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe.
“Deri tani i kemi shfrytëzuar të gjitha format demokratike që i kemi pasur në dispozicion. Tani që po na mbështet shteti shqiptar, po mbështesin vëllezërit tanë, është shumë me rëndësi për ne. Shpresojmë që ky presion publik të na ndihmojë neve, sepse ne e dimë pa presion institucionet nuk veprojnë. Deri diku i kemi humbur besimin në institucione, ne duhet të jemi shumë të kënaqur që ka filluar një frymë studentore e re në Maqedoni që po i bën gati, po i bën bashkë gjithë të rinjtë pa marrë parasysh i cilit bllok politik është”.
Në A2 CNN ai tha se ekziston ligji dhe se fillimisht kërkesa lidhej me zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, por më pas studentët kanë konstatuar probleme edhe në fakultete të tjera, duke e zgjeruar kauzën në një kërkesë më të madhe për zbatimin e plotë të të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Nuk e shohim të arsyeshme t'i drejtohemi Komisionit të Venecias. Ne ligjin e kemi. Ligji për përdorimin e gjuhëve është në fuqi nga janari i vitit 2019. Ligji është. Ata tani kapen te harmonizimi i ligjeve. Për te neni 23 i ligjit aty e kemi që nëse në afat kohë njëvjeçar nuk harmonizohen ligjet atëherë vlen ligji përkatës. Domethënë është menduar edhe kjo pjesë nëse nuk harmonizohen përsëri vlen ligji. Tani ata po mundohen të humbin kohë, dhe thonë që do krijojnë, do përpilojmë ligj të ri. Ajo është besoj që është një tentativë për të na e zbehur çështjen që e kemi këtë kauzë. nuk na duhet ligji i ri ne vetëm se e kemi ligjin pse të humbim kohë për ligj kur ne e kemi ligjin. Mungon vullneti për ta zbatuar ligjin. Në protestën e parë ne e kishim kërkesën tonë për provimin e jurisprudencës të jetë në gjuhën shqipe, por gjatë periudhës prej protestës së parë deri protestës së dytë ne hasëm edhe në probleme të tjera, në fakultete të tjera të ndryshme si fakulteti ekonomik, arkitekturës, psikologjik, mjekësi e tani ne e kemi zgjeruar çështjen. Ne nuk po luftojmë tani vetëm për një provim të jurisprudencës. Luftojmë për zbatimin e plotë të gjuhës shqipe”.
Edhe një ditë më parë në Ditarin me Pandi Gjatën në A2 CNN, organizatorët e protestës në Tiranë thanë që kjo protestë nuk do të jetë e fundit, dhe se do të vijojnë deri në adresimin e kërkesave të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. (A2 Televizion)