
Fati i ishullit të Sazanit në Shqipëri dukej se ishte vulosur që në një ditë dimri në Alpet e Zvicrës, shkruan gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung”. Gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos në vitin 2022, Jared Kushner, dhëndri i zhdërvjelltë i Donald Trumpit, ftoi shefin e qeverisë shqiptare Edi Rama për një kafe. Kushner foli me entuziazëm për një udhëtim në Shqipëri dhe për plazhet përrallore të Adriatikut dhe Jonit. Ai e pyeti Ramën nëse mund ta shihte vendin më nga afër për investime të mundshme. Të paktën kështu e përshkroi më vonë autokrati shqiptar këtë takim për gazetën amerikane “Wall Street Journal”, përcjell A2 CNN.
Sipas “Süddeutsche Zeitung”, familja Trump nuk po vjen në Shqipëri për mision humanitar. Kushner dhe bashkëshortja e tij Ivanka e kanë vizituar disa herë Shqipërinë. Planet e tyre janë gjigante: në ishullin e vogël të Sazanit dhe në fshatin bregdetar të Zvërnecit, pranë Lagunës së Nartës në jug të vendit, ata planifikojnë të ndërtojnë resorte luksoze. Në një sipërfaqe prej më shumë se 1400 hektarësh pritet të ndërtohen hotele me pesë yje me gjithsej 10’000 dhoma, si dhe vila, apartamente, pishina dhe porte jahtesh. Mediat e afërta me qeverinë flasin për një vlerë investimi prej katër miliardë dollarësh - ndonëse në fillim flitej për 1,4 miliardë. Kompania e investimeve e Kushnerit, Affinity Partners, disponon rreth pesë miliardë dollarë nga fondet sovrane të Arabisë Saudite, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, siç raporton The New Yorker.
Kundër këtij megaprojekti në fillim u ngritën mbrojtësit e mjedisit, gazetarët investigativë dhe popullsia lokale, por tani rezistenca po rritet ndjeshëm. Gjatë fundjavës, qindra njerëz u mblodhën në plazhin e Zvërnecit, pasi ndërtuesit rrethuan një pjesë të madhe të brezit bregdetar me tela me gjemba. Punonjësit e një kompanie private sigurimi ndërhynë dhunshëm ndaj demonstruesve, duke i qëlluar me gurë dhe duke tërhequr zvarrë një person. Këto skena ndezën një valë të madhe revolte, duke bërë që protestat të përhapen edhe në kryeqytetin e vendit, në Tiranë. Atje, të hënën dhe të martën, mijëra njerëz dolën në rrugë duke thirrur parulla si „Shqipëria nuk është në shitje“, duke kërkuar ndalimin e projektit dhe arrestimin e kryeministrit Edi Rama si dhe të liderit të opozitës Sali Berisha. Të dy shihen nga demonstruesit si politikanë të korruptuar që u janë nënshtruar interesave të oligarkëve. Protestuesit e rinj e mbuluan Edi Ramën me sharje të rënda, duke përfshirë në to edhe të gjithë fisin e tij.
Siç shton më tej “Süddeutsche Zeitung”, ishulli i Sazanit ka një pozicion strategjik mjaft të lakmuar, i cili përgjatë shekujve u shfrytëzua nga ushtri të shumta: romakët, osmanët dhe italianët. Në Luftën e Ftohtë, ishulli u kthye në një bazë ushtarake rreptësisht të fshehtë të Shqipërisë komuniste, ku për një kohë pati edhe prezencë sovjetike. Rëndësinë e tij ushtarake e bëri të qartë Nikita Hrushçovi në vitin 1958 gjatë një vizite, kur deklaroi se nga këtu mund të kontrollohej Mesdheu deri në Gjibraltar, përcjell A2 CNN.
Që Kushner, bashkëshortja e tij, biznesmenët nga Katari, investitorët vendas të dyshimtë me kompani fantazmë dhe oligarkët të mund të ndërtojnë në bregdetin shqiptar, qeveria ndryshoi me nxitim ligjin për zonat e mbrojtura në vitin 2024. Përmes këtij truku juridik, ndërtimi i resorteve të luksit në natyrën e paprekur u legalizua brenda natës. Megjithatë, tani hovi i investitorit amerikan rrezikon të frenohet nga drejtësia: pronësia mbi atë pjesë të bregdetit është e paqartë, andaj Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur hetimet këtë javë se si një rrjet i dyshimtë personash privatë dhe kompanish mori në zotërim tokat në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
Revista gjermane “Der Spiegel” po ashtu trajton protestat e fundit në Shqipëri. Ajo citon kryeministrin e Shqipërisë, i cili i tha gazetës britanike “The Guardian”: “Ne kemi nevojë për turizmin e luksit aq sa ka nevojë shkretëtira për ujë”. Kështu Edi Rama mbrojti qëllimin për ta kthyer ishullin e Sazanit në një ishull privat luksi. Në fund të vitit 2024, Ivanka Trump dhe Jared Kushner kërkuan leje për investim, dhe miratimi nuk vonoi. Kompania e Kushnerit, Atlantic Incubation Partners LLC, planifikon të investojë 1.4 miliardë euro për të hapur atje një resort luksoz që do të shtrihet në të gjithë ishullin. Në një podkast me David Senra, Ivanka Trump foli me ekzaltim për projektin, duke u shprehur: “Është një ishull privat jashtëzakonisht i bukur prej 1400 hektarësh në mes të Mesdheut. Ishim në varkën e një miku dhe ndaluam për të notuar, kështu e zbuluam ishullin. Notuam deri atje, ecëm zbathur deri në majë dhe u magjepsëm krejtësisht. Kemi punuar për disa vite për të zhvilluar potencialin e këtij ishulli, me shumë kujdes, sepse vendi është shumë i bukur”.
“Der Spiegel” nënvizon se komentet në YouTube poshtë këtij podkasti nuk ishin aq entuziaste. Një përdorues shkroi: “Ishulli i Sazanit nuk është një ishull i izoluar në mes të Mesdheut, zonja Trump. Dhe ju nuk jeni një pirate moderne që u ndal rastësisht aty me jahtin e një miku dhe e ‘zbuloi’ atë. Sazani ndodhet përballë bregdetit të Vlorës dhe është pjesë e historisë, gjeografisë dhe identitetit të Shqipërisë prej brezash. Mbi të gjitha, ai nuk është pronë private - ai i përket popullit shqiptar”. Një tjetër ishte më i shkurtër: „Korrupsion i ëmbël“.
Vitin e kaluar, edhe Jared Kushner i tha gazetës “The Guardian” se planifikonte të krijonte në Sazan “resortin ideal ku do të dëshironte të kalonte pushimet me familjen dhe miqtë e tij”. Një “ishull privat” për Trump-Kushnerët dhe miqtë e tyre super të pasur. Vitin e kaluar, autoritetet shqiptare madje e përshpejtuan projektin e pasurive të paluajtshme duke i dhënë Kushnerit statusin e “investitorit strategjik”. Njerëzit në Shqipëri kanë filluar ta quajnë Sazanin si „Ishulli i Trumpëve”.
Sipas gazetës konservatore “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, planifikon një megaprojekt turistik në rivierën shqiptare, dhe kryeministri i Shqipërisë po e mbështet atë. Në Shqipëri po formohet një rezistencë kundër një projekti turistik që po shtyhet përpara nga dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner. Që nga fillimi i javës, në Tiranë, çdo mbrëmje mijëra demonstrues marshojnë përpara selisë së kryeministrit Edi Rama. Ata kërkojnë ndalimin e punimeve dhe dorëheqjen e shefit të qeverisë, i cili e mbështet fuqishëm këtë projekt ndërtimi me një vëllim investimi prej rreth 1.4 miliardë eurosh.
Sipas “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, të mërkurën pati përleshje me policinë në margjinat e një tubimi. Policia përdori ujëhedhëset për të larguar demonstruesit nga hapësirë para selisë së kryeministrit.
Sipërfaqet e projektuara për ndërtim ndodhen në zonën e mbrojtur të natyrës rreth Lagunës së Nartës, në deltën e lumit Vjosa. Kjo zonë ligatinore është një vend i rëndësishëm folezimi dhe pushimi për shpendët shtegtarë, mes të cilëve flamingot, pelikanët dhe çafkat. Mbrojtësit e natyrës frigohen se ndërtimi i planifikuar i hoteleve të luksit dhe komplekseve të vilave me deri në 10’000 dhoma, si dhe porteve të jahteve e pishinave në një sipërfaqe prej 1400 hektarësh, do të nxjerrë nga ekuilibri ekosistemin e deltës së Vjosës. Në këtë deltë ndodhet edhe aeroporti ndërkombëtar i Vlorës, hapja e të cilit po shtyhet më tej për shkak të betejave ligjore me mbrojtësit e mjedisit dhe mosmarrëveshjeve mes palëve të përfshira në ndërtim. Pas këtij projekti në gadishullin e Zvërnecit dhe në ishullin përballë tij, Sazan, qëndron kompania Affinity Partners, e cila nën udhëheqjen e Kushnerit thuhet se disponon mjete investimi nga Katari dhe Arabia Saudite në vlerë prej tre miliardë eurosh. Në Zvërnec, në fund të majit, filluan përgatitjet për ndërtimin e rrugëve të aksesit dhe u vendosën gardhe rrethuese.
Me flamingo rozë prej kartoni dhe pankarta si „Shqipëria nuk është në shitje“, mijëra demonstrues po marshojnë prej ditësh nëpër qendrën e Tiranës, raporton gazeta e Vjenës “Die Presse”. Arsyeja e protestës: shqiptarët duan të parandalojnë me çdo kusht një resort luksoz të planifikuar nga një konsorcium miliarderësh në ishullin e Sazanit dhe në një brez bregdetar në Lagunën e Nartës, jo larg fshatit bregdetar të Zvërnecit në Shqipërinë e Jugut. Vajza e presidentit amerikan, Ivanka Trump, shprehet e mrekulluar nga plazhet e ishullit të Sazanit, që dikur përdorej si bazë ushtarake dhe tani është i pabanuar: “Është një ishull privat jashtëzakonisht i bukur në mes të Mesdheut”.
Sipas “Die Presse”, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e vlerëson investimin e këtij konsorciumi. Si investitor strategjik, dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, pritet të paguajë 1.4 miliardë dollarë. Ky çift kontrovers investitorësh amerikanë po ngjall zemërimin e masave në Shqipëri, një vend që tradicionalisht njihet si pro-amerikan. “Ivanka, shko në shtëpi”, ishte një nga mesazhet e indonjuara të demonstruesve në Tiranë dhe Zvërnec.
Ndërkohë, i ashtuquajturi “Revolucion i flamingove” po përhapet edhe në diasporën shqiptare jashtë vendit: të premten mbrëma ishin planifikuar protestat e para edhe në München dhe Berlin kundër planeve të Kushnerit, shkruan gazeta gjermane “Bild”.
Zemërimi i demonstruesve nuk drejtohet aspak vetëm kundër familjes sipërmarrëse Trump, por para së gjithash kundër kastës politike të Shqipërisë, e cila kritikohet si e korruptuar. Që kur anëtarët e një kompanie private sigurimi rrethuan me tela me gjemba brezin bregdetar prej disa qindra hektarësh në Zvërnec në fund të majit dhe tërhoqën zvarrë një demonstrues për qindra metra përgjatë plazhit, një valë e madhe indinjate ka përfshirë Shqipërinë.
Siç vë në dukje gazeta “Bild”, qeveria shqiptare i ka dhënë Kushnerit statusin e „investitorit strategjik“ në fund të vitit 2024. Ky status i veçantë u rezervohet projekteve që konsiderohen veçanërisht të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit. Ai mundëson procedura të përshpejtuara administrative dhe të licencimit, si dhe një mbështetje të ngushtë nga organet shtetërore, raporton A2 CNN.
Kryeministri kontrovers Edi Rama i vlerëson këto plane si një shans historik për ekonominë dhe turizmin. Ndërsa Zydjon Vorpsi nga organizata mjedisore PPNEA tha për “Bild”: „Shqipëria njihet para së gjithash për habitatet e saj të egra dhe natyrën e saj. Mirëpo, vizioni i prezantuar tani është pikërisht rruga drejt shkatërrimit të vetë potencialit turistik të vendit”.
Nga Enver Robelli (A2 Televizion)