Tashmë turistët e huaj në Gjirokastër, përveç historisë dhe kulturës, po tregojnë interes edhe për mënyrën se si realizohen punimet artizanale, veçanërisht kostumet e trashëgimisë popullore, shkruan A2 CNN. Një grup turistësh nga Izraeli janë përqendruar në një prej punishteve artizanale, për të mësuar pikërisht teknikat e realizimit të qepjeve tradicionale.
“Unë quhem Kelly dhe jam nga Izraeli. Kemi ardhur me një grup miqsh për të vizituar Shqipërinë dhe për t’u njohur më shumë rreth traditave. Në interesin tonë është edhe qëndistaria. Po mësojmë nga artizanët vendas dhe është një eksperiencë e mrekullueshme, për më tepër kur jemi në një vend miqësor dhe me njerëz tepër të dashur”, thotë njëri prej tyre..
“Unë jam Mihal nga Izraeli. Punoj si artizane në të gjitha profilet e këtij zanati. Prej disa vitesh kryejmë ture të ndryshme ku pjesë është edhe Shqipëria. Po ku më mirë se në Gjirokastër mund të njihemi apo të na tregojnë teknikat në qëndisje, sidomos ato me fije ari, pjesë e rëndësishme dhe mjaft e bukur e kostumeve tradicionale të zonave të ndryshme”.
Për artizanen e punishtes në fjalë, ky lloj interesi nga turistët e huaj po vjen gjithnjë në rritje, duke tërhequr edhe artizanë nga vendet e tjera. Në zonën muzeale të Gjirokastrës ushtrojnë profesionin e tyre dhjetëra artizanë në profile të ndryshme, ku interesi i turistëve të huaj për t’u njohur me këtë pjesë të traditës dhe trashëgimisë është gjithnjë në rritje. (A2 Televizion)