“Njerëzit po përjetojnë vrasje sociale” Robelli: Policia të mbajë përgjegjësi për sigurinë e qytetarëve

Nga A2 CNN
1 Tetor 2026, 21:59 | Aktualitet

Pasoja e gjithë kësaj është që njerëzit po përjetojnë një lloj vrasje sociale. Kështu u shpreh në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, analisti Enver Robelli, duke komentuar skandalin e fundit atë të publikimit dhe shpërndarjes së videove intime të kompozitorit Adi Hila. Ai ngriti pikëpyetje mbi rolin e institucioneve shtetërore, veçanërisht Policisë dhe Prokurorisë, për parandalimin dhe hetimin e krimeve kibernetike.

“Kjo është një lloj vrasje sociale. Nuk dua të flas për detajet e këtyre videove. Dua të flas për çështjen se ku janë institucionet e shtetit, ku është policia? A ka një qendër brenda policisë, brenda prokurorisë që merret me luftimin e krimeve të tilla kibernetike? Cila është përgjegjësia e institucioneve për të garantuar që qytetarëve të mos u vidhet gjëja më esenciale e jetës së tyre, jeta private?”, tha Robelli në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Sipas tij, qytetarëve duhet t’u garantohet mbrojtja e jetës private dhe institucionet duhet të fokusohen jo vetëm te reagimi pasi një material bëhet publik, por edhe te parandalimi i rasteve të tilla në të ardhmen

“Dhe ne e kemi parë që edhe në të kaluarën ka pasur sulme brutale ndaj Shqipërisë nga fuqi të tjera. Irani erdhi dhe i plaçkit të gjitha të dhënat bankare, por nuk mund të ketë vazhdimisht arsyetime. Jo armiku i jashtëm. Kjo është një gjuhë sikur në plenumet e partisë komuniste. Domethënë gjithmonë është armiku i jashtëm ose një armik i brendshëm, dikush që na e do të keqen, por çështja është ku janë institucionet e shtetit të cilat do duhej do duhej të ndërmerrnin diçka që kjo të mos përsëritej. Unë këtu e shoh rëndësinë e një debati publik në qeverinë edhe në shoqërinë shqiptare. Sepse nesër mund të dalin gjëra dhe me të tjera që lidhen me sigurinë kombëtare, që lidhen me ndoshta me ndonjë rrjet që keqpërdor fëmijë, rrjet pedofilësh. Domethënë është gama, fusha e keqpërdorimit është aq e madhe. Çështja është pse këtu nuk ka një përgjigje nga shteti?” theksoi Robelli në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Robelli ngriti shqetësimin që zhvillimi i rrjeteve sociale dhe mungesa e filtrimit editorial kanë sjellë rënie të përgjegjësisë për fjalën publike dhe etikën.

“Nuk kam fakte që qeveria qëndron pas kësaj situate, por në radhë të parë ne kemi të bëjmë këtu me një komercializim të së vërtetës për shkak edhe të mënyrës shpërthyese të zhvillimit të mediave, të mundësisë që secili idiot të postojë diçka në rrjetet sociale. Në të njëjtën kohë me shpërthimin dhe me zhvillimin e mediave sociale kemi zvetënimin, rënien brutale të përgjegjësisë për fjalën publike dhe përgjegjësisë për etikën. Ne që kemi ndoshta një moshë edhe një përvojë pak më të gjatë në gazetari, e dimë që karrierat tona kanë filluar duke pasur një redaktor i cili ta ka redaktuar tekstin. Domethënë nuk ke pasur mundësi që të si të dalësh këtu si një gjuetar në mal dhe të gjuash në çfarëdo drejtimi që do”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos