
Socialisti Taulant Balla shkoi sot në dyert e Gjykatës së Posaçme për të dëshmuar kundër Sali Berishës dhe të pandehurve të tjerë në dosjen “Partizani”. Balla dëshmon në rolin e kallëzuesit dhe është dëshmitari i parë i thirrur nga prokuroria.
Gjatë dëshmisë së tij, Balla mbrojti kallëzimin e bërë në vitin 2020, duke e cilësuar procesin si një skemë të pastër korrupsioni dhe pastrimi parash. Në sallën e gjyqit, ai u shpreh se njohja dhe kthimi i pronës u bë brenda 6 muajve, një kohë e pazakontë krahasuar me qytetarët e tjerë, ndërsa e konsideroi "qesharak" çmimin prej 10 milionë lekësh për godinat e ndërtuara në këtë zonë.
Sipas Ballës, Jamarbër Malltezi shfrytëzoi lidhjen me vjehrrin e tij, Sali Berisha, i cili asokohe ishte kryeministër për të tjetërsuar pronën nga ish-klubi sportiv në truall ndërtimin e 17 pallateve. Nga ana tjetër, Malltezi i hodhi poshtë akuzat, duke e pyetur dëshmitarin nëse kishte prova konkrete apo thjesht dyshime të bazuara në media. Balla u përgjigj se detyra e tij si qytetar dhe deputet ishte të ngrinte dyshimet, ndërsa vërtetimi i tyre i takon SPAK-ut. Seanca vijon me dëshmitarë të tjerë, ish-drejtues të klubit sportiv. Në listën e dëshmitarëve, I thirrur nga pala mbrojtëse do të jetë edhe vete kryeministri Rama.
Pjesë nga marrja në pyetje:
Avokati Sokol Mëngjesi: Veç afatit a ka abuzime nga ATP?
Taulant Balla: Edhe mund të ketë. Unë jam kallëzues. Nëse do ta kisha fuqinë ti mblidhja të gjitha faktet penale, atëherë pse na duhej prokurori.
Avokati Sokol Mëngjesi: Cili ka qenë ndikimi i z. Malltezi?
B: Personi është përfitues dhe person i ekspozuar politikisht. Për shkak të lidhjes familjare, kam dyshimin se ka ndikuar tek institucionet.
Avokatja Klodiana Gjyzari (mbrojtëse e Berishës): Bashkë me kallëzimin keni paraqitur një listë dokumentesh. Pohuat a e keni hetuar? Kur janë ndërtuat objektet?
Taulant Balla: Nuk e di vitin, por dukeshin në gjendje të mirë. Diku nga 2007 ka pasur një rikonstruksion. Godinat kur janë privatizuar janë privatizuar me çmim qesharak.
Vlerën e përcaktoj ë ata që bëjnë vlerësim të drejtë, pa i hyrë në hak shtetit shqiptar. Vlera e tyre mendoj se ishte dhjetëra herë me e lartë.
Avokatja Gjyzari: Nga aktet tuaja rezulton se godina ishte ndërtuar në vitet ‘86-‘79.
Taulant Balla: Në vlerësimin tim ishin godina shumë të reja për tu shembur. Ajo pronë duhet t'i kishte mbetue shtetit shqiptar.
Avokati Sokol Mëngjesi: Kur u hoq nga plani i përhapjes?
Taulant Balla: Në dy dokumente të ndryshëm zyrtare, në një rezultonte se ishte në planin e përhapjes, në një dokument tjetër jo.
Avokati Genc Gjokutaj (mbrojtës i Berishës): Midis datës që e keni firmosur dhe mbërritjes në SPAK mbani mend të ketë pasur diferencë?
Taulant Balla: Sot e 6 vjet nuk e kujtoj. Mbaj mend që ka qenë nëntor.
Avokati: në shumë pyetje ju iu referuat mediave si burim dienie.
Taulant Balla: kanë qenë digjitale.
Avokati: Në dëshmi ju referuat medias, por në kallëzim nuk e A e njihni shtetasin Edi Rama?
Taulant Balla: E njoh, patjetër.
Avokati: A keni qenë në dijeni mbi procedurën e ndjekur për Partizanin? A keni kryer ndonje veprim për ta penguar?
Taulant Balla: Po, e kam ngritur. Në nderin e madh që më kanë dhënë zgjedhësit e kam ngritur këtë çështje në foltoren e kuvendit si qytetar i ndërgjegjshëm kam bërë kallëzim.
Avokati: Keni biseduar për këtë problem me Ramën?
Taulant Balla: Jo.
Avokati: Po pasi bëtë kallëzimin?
Taulant Balla: Nuk e kam diskutuar fare.
Avokati: Po a e dini se Rama ka firmosur si drejtues i KRT?
Taulant Balla: Nuk kam pasur dijeni.
Avokati: A shihni nje kontradikte mes veprimit të Ramës dhe këtij kallëzimi?
Taulant Balla: As për këtë kallëzim e as për të tjera nuk i kam marrë leje kryetarit të partisë.
Avokati: I njeh Paro Lacin dhe Albert Xhanin?
Taulant Balla: I njoh si njerëz publikë. (A2 Televizion)