
Në ambientet e Haus der Deutschen Wirtschaft u zhvillua sot Konferenca e Biznesit Gjermani–Shqipëri, një takim i rëndësishëm mes përfaqësuesve institucionalë dhe komunitetit të biznesit nga të dy vendet, me fokus forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe promovimin e mundësive të investimit.

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) mori pjesë në këtë aktivitet duke organizuar workshop-in me temë “Mundësitë dhe Lehtësitë për Investime në Shqipëri – si dhe Mbrojtja e Investimeve”.

Workshop-i u hap nga Drejtoresha Ekzekutive e AIDA-s, znj. Laura Saro, e cila prezantoi rolin e Gjermanisë si një partner strategjik ekonomik për Shqipërinë, si dhe angazhimin e AIDA-s në promovimin dhe lehtësimin e investimeve në vend.

Gjatë workshop-it u prezantuan zhvillimet kryesore ekonomike në Shqipëri, sektorët me potencial të lartë zhvillimi, infrastruktura strategjike dhe instrumentet mbështetëse për investitorët e huaj në faza të ndryshme të procesit të investimit.
(A2 Televizion)